Tifozi i Chelseat pezullohet përjetësisht për shkak të thirrjeve raciste

  • 30 July 2019 - 13:57
Tifozi i Chelseat pezullohet përjetësisht për shkak të thirrjeve raciste

Chelsea e ka pezulluar një tifoz përjetësisht nga ndeshjet e klubit, për shkak të gjuhës raciste të përdorur në ndeshjen kundër Manchester Cityt, të zhvilluar në “Stamford Bridge” më 8 dhjetor të vitit 2018.

Pesë tifozë të tjerë të klubit londinez janë pezulluar përkohësisht për “përdorim të gjuhës abuzive dhe sjelljes agresive dhe kërcënuese”.

Policia i hetoi pretendimet e sulmuesit të Manchester Cityt, Raheem Sterlingut, se ishte abuzuar në baza racore nga një pjesë e tifozëve në tribunat e asaj ndeshjeje. Mirëpo, Shërbimi Mbretëror i Prokurorëve tha se nuk kishte mjaftueshëm dëshmi për të vazhduar me hetimet.

Chelsea bëri të ditur se klubi vendosi të vazhdojë me hetimet e tyre në standardin civil, e jo atë kriminal.

“Klubi e vonoi vendimin për këtë rast për t’u siguruar që të mos e paragjykojë vendimin e hetuesve policorë”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga klubi i Premierligës.

“Përderisa klubi e respekton vendimin e hetuesve, pyetja në të cilën ata duhej të jepnin përgjigje nuk është nëse personat në fjalë kishin bërë shkelje kriminale, por nëse ata i kishin shkelur rregullat e ligës”.

Chelsea bëri të ditur se është takuar me përfaqësues të tifozëve të përfshirë në rastin e hetuar, ka marrë dëshmi nga pamjet televizive, i ka intervistuar disa dëshmitarë dhe është këshilluar me dy profesionistë për leximin e buzëve.

(Kosova Sot Online)