Ronaldo e sqaron mesazhin e tij për De Ligtin

  • 30 July 2019 - 14:27
Ronaldo e sqaron mesazhin e tij për De Ligtin

Matthijs de Ligt kishte zbuluar se Cristiano Ronaldo i kishte kërkuar atij t’i bashkohet Juventusit në një bisedë në fushë pas finales së Ligës së Kombeve, të cilën e fitoi Portugalia. Mirëpo, tani Ronaldo ka thënë se këtë gjë e kishte bërë si shaka.

Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, Cristiano Ronaldo dhe Matthijs De Ligt u panë duke qeshur, prandaj qendërmbrojtësi i Ajaxit u pyet se çfarë kishte biseduar me sulmuesin e Juventusit.

“Ronaldo më kërkoi t’i bashkohem Juventusit. U trondita pak nga kjo pyetje, prandaj qesha. Nuk e kuptova atë në fillim”, kishte thënë De Ligt për NOS. 

Mirëpo, kur së fundi u pyet se cilët lojtarë duhet t’i transferojë tani Juventusi, Ronaldo u përgjigj se ai nuk tenton të ndikojë në vendime të tilla, duke shtuar se mesazhi i tij për De Ligtin kishte qenë shaka.

“Unë dua ta qartësoj se kur i thashë Matthijs de Ligtit të vijë në Juventus pas finales së Ligës së Kombeve me Holandën, unë po bëja shaka. Unë nuk do të tentoja kurrë ta ndikoj një trajner apo drejtues për ta blerë dikë. Por, jam shumë i lumtur që ai na ka zgjedhur neve”, tha Ronaldo.

Mirëpo, në fund De Ligti vendosi ta zgjedhë Juventusin para Barcelonës, Paris Saint-Germainit e Manchester Unitedit jo për shkak të Ronaldos, por për shkak të trajnerit Maurizio Sarrit dhe pasi që gjithmonë ka qenë tifoz i bardhezinjve.

“Pas finales së Ligës së Kombeve, unë tashmë e kisha vendosur që do ta shkoja në Juventus, por ishte një kompliment i madh që Cristiano erdhi dhe më kërkoi që të vija këtu. Por, kjo nuk ndikoi te unë”, tha De Ligti.

“Unë erdha këtu sepse Italia është njëra ndër vendet më tradicionale për mbrojtësit. Juventusi është një hap i mrekullueshëm për mua”.

(Kosova Sot Online)