Pas dy titujve radhazi të Kupës së Botës, trajnerja e SHBA-së e lë punën

  • 31 July 2019 - 08:11
Pas dy titujve radhazi të Kupës së Botës, trajnerja e SHBA-së e lë punën

Jill Ellis ka bërë të ditur se nuk do të jetë më trajnere e ekipit kombëtar të vajzave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi triumfoi dy herë radhazi në turneun e Kupës së Botës me këtë skuadër.

52-vjeçarja, që kishte lindur në Portsmouth por ishte shpërngulur në SHBA si adoleshente, u emërua në pozitën e trajneres së Kombëtares amerikane në vitin 2014 dhe e drejtoi skuadrën në triumfin e parë në Kupën e Botës pas 16 vjetëve, në vitin 2015.

 

SHBA-ja e mbrojti titullin e kampiones botërore muajin e kaluar, kur e mposhti ekipin e Holandës me rezultat 2:0 në finalen që u mbajt në stadiumin “Parc des Princes” në Paris të Francës.

“Ky është momenti i duhur për të ecur përpara. Kur unë e pranova pozitën e trajneres, ky ishte afati kohor të cilin e kisha menduar”, tha Ellis në intervistën e dhënë për Federatën e Futbollit të SHBA-së.

“Programi është i pozicionuar që të mbesim në majat e futbollit të vajzave. Ndryshimi është diçka që unë gjithmonë e kam përqafuar në jetën time, për mua dhe familjen time. Ky është momenti i duhur”.

Karriera e Ellis si trajnere e SHBA-së do të përfundojë zyrtarisht në tetor, pasi që kampionet e botës ta përfundojnë “Turneun e Fitores”, ku do t’i zhvillojnë pesë ndeshje. Për momentin, ajo e ka një rekord prej 102 fitoreve, shtatë barazimeve dhe 18 disfatave.

Presidenti i Federatës së Futbollit të SHBA-së, Carlos Cardeiro, tha: “Jill ka pasur gjithmonë shumë pasion për këtë skuadër. Ka qenë gjithmonë e përqendruar, ka analizuar gjithçka dhe nuk është frikësuar të marrë vendime të vështirë, përderisa ua ka dhënë lojtarëve lirinë për ta shprehur më të mirën nga vetja”.

Ellis, trajnerja e parë që i ka fituar dy tituj të Kupës së Botës, ishte emëruar trajnerja më e mirë e vitit 2015 edhe nga FIFA, edhe nga CONCACAF (ekuivalente me UEFA-n, Konfederata e Futbollit për Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe regjionin e Karaibeve.

Kosova Sot Online )