Tuchel: Neymari është i yni

  • 31 July 2019 - 13:43
Tuchel: Neymari është i yni

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, tentoi t’i shmangë pyetjet për të ardhmen e Neymarit dhe në vend të kësaj vendosi ta theksojë mesfushën e përforcuar të skuadrës së tij.

Thomas Tuchel beson se lojtarët e rinj të PSG-së, Ander Herrera dhe Idrissa Gueye, kanë cilësi të ndryshme dhe kjo gjë i jep atij mundësi për të eksploruar më shumë në mesfushë gjatë sezonit të ardhshëm.

Duke folur pas fitores 3:0 në ndeshjen miqësore kundër Sydney, Tuchel tha: “Nuk ka asgjë të re për të raportuar për Neymarin. Për mua, ai është lojtari ynë dhe ne stërvitemi me të”.

“Kjo është një pyetje për klubin dhe për Neymarin. Për mua, kur është në zhveshtore dhe po stërvitet me ne, është ende lojtari ynë. Nuk ka asgjë të re”.

Përgjatë kësaj vere, për Neymarin është raportuar se do të kthehet te klubi i tij i vjetër, nga ku u largua para dy vjetëve për 222 milionë euro. Mirëpo, ky transferim është shumë i komplikuar për shkak të marrëdhënieve të këqija mes dy klubeve.

Mediat spanjolle raportojnë se PSG-ja është e gatshme ta shesë Neymarin, mirëpo preferon ta shesë atë te cilido klub tjetër përpos Barcelonës, e madje edhe për shumë më të ulët parash.

Përkundër që Neymari është ylli i skuadrës së PSG-së, Tuchel preferoi të flasë për lojtarët e tjerë të skuadrës së tij, veçanërisht përforcimeve të reja për repartin e mesfushës – Gueye dhe Herrera.

“Ata të dy nuk janë lojtarë të të njëjtit lloj. Ata nuk luajnë në pozita të njëjta. Herrera është 8-sh. Gueye është lloj tjetër i mesfushorit dhe kjo na i jep mundësinë të luajmë me një lojtar para vijës së mbrojtjes”, shtoi Tuchel.

(Kosova Sot Online)