14-vjeçarja që luan për Kosovën U-20: Tifozët janë motivi ynë në Evropë

  • 31 July 2019 - 13:58
14-vjeçarja që luan për Kosovën U-20: Tifozët janë motivi ynë në Evropë

Federata e Basketbollit e Kosovës për herë të parë organizon një Kampionat Evropian të Divizionit B, derisa vashat e Kosovës U20, debutojnë në shtëpi, në këtë ngjarje madhore. 

Synimi i tyre është të fitojnë përvojë nga ky Evropian. Mosha mesatare në ekipin e Kosovës është 17-vjeçare dhe për këtë arsye, vashat e Kosovës kanë nevojë për përkrahje. 

Madje, Astera Tuhina është vetëm 14-vjeçare, por luan me Kosovën U20.

“Tifozët janë lojtari ynë i gjashtë në parket. Ne kemi një grup shumë të reja të lojtareve dhe synimi ynë është të fitojmë përvojë. Ne duam të bëjmë paraqitje të mira dhe ndihma e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne. Me ndihmën e tyre e kemi më lehtë edhe ne në fushë”, thotë Tuhina për faqen zyrtare të FBK-së. 

Ajo foli edhe për përgatitjet me Kosovën U20.

“Jemi munduar të përgatitemi për Evropianin që zhvillohet në shtëpinë tonë. Jemi në grup me Turqinë dhe Rumaninë, ku do ta kemi shumë vështirë, megjithatë, angazhimi ynë nuk do të mungojë në fushë”, shtoi tutje 14-vjeçarja që luan me Spanjën. 

Evropiani zhvillohet nga 3 deri më 11 gusht në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe Palestrën ‘1 Tetori’. “Ky Evropian është shumë i rëndësishëm për basketbollin, sidomos atë të femrave. Duhet t’i përkrahim të gjithë që të merren me basketboll. Andaj ju bëj thirrje të gjithëve që të vijnë të shohin ndeshje shumë cilësore”, përfundoi Astera Tuhina. 

Në këtë Evropian marrin pjesë 12 kombëtare, që do të luftojnë për trofeun shumë të çmuar.

(Kosova Sot Online)