Man Unitedi mund të dorëzohet pas kërkesave të shumta të Dybalas

  • 31 July 2019 - 14:35
Man Unitedi mund të dorëzohet pas kërkesave të shumta të Dybalas

Kërkesat e shumta të Paulo Dybalas kanë bërë që të shuhen pothuajse plotësisht shpresat e Juventusit për ta shkëmbyer argjentinasin me sulmuesin belg të Manchester Unitedit, Romelu Lukakun.

Paulo Dybalas iu dha leja për të filluar negociatat me përfaqësuesit e Manchester Unitedit të martën, pasi dy klubet arritën marrëveshje për shkëmbimin e lojtarëve, që do ta dërgonte Dybalan në “Old Trafford” e Romelu Lukakun në “Allianz”.

Megjithatë, e përditshmja angleze, The Sun, raporton sulmuesi argjentinas dhe Manchester Unitedi nuk janë as afër për të arritur marrëveshje për kontratën e mundshme të Dybalas me “Djajtë e kuq”.

Futbollistëve të Ole Gunnar Solskjaer iu është zbritur paga për 25 për qind për sezonin e ardhshëm, pas dështimit të tyre për t’u kualifikuar në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, duke mbetur kështu në Ligën e Evropës, garën dytësore të Evropës.

Gazeta shton se 26-vjeçari është duke e kërkuar të njëjtën pagë që e ka edhe në Juventus, pavarësisht garës në të cilën po luan Manchester Unitedi e madje ai është i lumtur të qëndroje në Juventus nëse “Djajtë e kuq” s’i ofrojnë pagë më të lartë.

Ndërkohë, Sky Sports Italia raporton se argjentinasi është duke u stërvitur me bardhezinjtë edhe sot dhe, menjëherë pas seancës stërvitore, ai do ta zhvillojë një takim me trajnerin e ri, Maurizio Sarrin, për të diskutuar për të ardhmen e tij.

Pas të gjitha këtyre lajmeve, Dybala e bëri hapin e tij në rrjetin social Instagram, ku e pëlqeu një postim në të cilin një tifoz i Juventusit e nxiste atë të qëndrojë te “Zonja e Vjetër” dhe të bëhet legjendë e gjigantit italian.

(Kosova Sot Online)