Muriqi me paraqitje të mirë në humbjen e Fenerbahçes ndaj Real Madridit

  • 31 July 2019 - 20:18
Muriqi me paraqitje të mirë në humbjen e Fenerbahçes ndaj Real Madridit

Vedat Muriqi ka bërë një paraqitje mbresëlënëse duke asistuar një herë në humbjen e Fenerbahçes 5:3 kundër Real Madridit në Audi Cup të mërkurën.

Real Madridi triumfoi ndaj klubit turk në një ndeshje dramatike, duke e fituar vendin e tretë në turneun miqësor Audi Cup, që u zhvillua në Allianz Arena të Bayern Munich.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Muriqi luajti 74 minuta, duke bërë asistin më të mirë në ndeshje për golin e dytë të Fenerbahçes të shënuar nga Nabil Dirar. Ai ia pati edhe dy mundësi të mira për të shënuar, por goli iu mohua nga Keylor Navas.

Muriqi për pak sa nuk shënoi në fillim të takimit, por goditjen e tij me kokë e priti Navas. Pas gjysmë ore lojë, ai goditi fuqishëm nga largësia me këmbën e tij të dobët, por Navas ishte përsëri më i suksesshëm duke e larguar topin.

25-vjeçari i ka shënuar tri gola në pesë ndeshje për Fenerbahcen, që prej transferimit nga Rizespor në fillim të këtij muaji.  

Garry Rodriguez e kaloi klubin turk në epërsi pas vetëm gjashtë minutave lojë, duke e zënë në befasi skuadrën e Zinedine Zidane, që hapi atë që ishte një maratonë golash më vonë.

Karim Benzema e barazoi rezultatin gjashtë minuta më vonë, duke e shfrytëzuar një gabim në mbrojtjen e Fenerit. Francezi e kaloi Realin në epërsi për herë të parë në këtë takim në minutën e 27-të.

Por, Nabil Dirar e ktheu Fenerbahcen në lojë duke shënuar falë një devijimi një çerek para fundit të pjesës së parë.

Pjesa e dytë ishte po aq frytdhënëse sa e para sa i përket golave. Benzema e kompletoi het-trikun duke e sjell Realin në epërsi për herë të dytë në minutën e 52-të. Ozan Tufan e shënoi golin e mbrëmje duke e mposhtur Keylor Navasin nga largësia për 3:3 në minutën e 59-të.

Por dy gola të tjerë nga Nacho në minutën e 62-të dhe Mariano Diaz dhjetë minuta para fundit, e fundosen Fenerbahcen dhe ia fituan Real Madridit vendin e tretë në Audi Cup.

(Kosova Sot Online)