IAAF kundërshton atletet që përdorin hormone mashkullore: Biologjia e mposht identitetin gjinor

  • 01 August 2019 - 08:50
IAAF kundërshton atletet që përdorin hormone mashkullore: Biologjia e mposht identitetin gjinor

Organi qeverisës i atletikës, IAAF, ka thënë se biologjia e mposht identitetin gjinor, pasi i mirëpriti vendimet për t’i lejuar kufizimet e përdorimit të hormoneve mashkullore, testosteroneve, te vrapueset.

Kampionia e dyfishtë Olimpike, Caster Semenya, dy herë i kundërshtoi rregullat e reja të IAAF-it, që ia ndalojnë asaj vrapimin në garën e 800 metrave pa medikamente.

Një gjykatë zvicerane e suspendoi këtë vendim, megjithatë tani vendimi i kësaj gjykate është hequr.

Semenya pastaj tha se, këtë vit, ajo nuk do ta mbrojë titullin e saj botëror në garën e vrapimit në 800 metra. Ndërsa, IAAF u shpreh se tani ka barazi dhe qartësi para kampionateve në Doha, që fillojnë më 28 shtator.

Vendimi, që hyri në fuqi më 8 maj 2019, do të thotë se atletet me ndryshime në zhvillim seksual (DSD) duhet të marrin medikamente për uljen e nivelit të testosteroneve para se të garojnë në vrapimet e 400 metrave e më shumë.

“Unë jam shumë e zhgënjyer që nuk më është lejuar ta mbroj titullin tim të fituar me vështirësi. Por, kjo nuk do të më ndaloj mua të luftoj për të drejtat njerëzore të të gjitha atleteve, kudo që janë”, ka thënë Semenya, 28-vjeçare.

Gjykata Supreme Federale e Zvicrës, në deklaratën e fundit të lëshuar, sqaroi pse suspendimi u hoq, duke iu referuar arsyetimit fillestar të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).

“Gjykata Supreme Federale e Zvicrës përfundon se, në përmbledhjen e analizave të para, apelimi i Caster Semenyas nuk duket se ka gjasa të mëdha për të qenë me themele të shëndosha”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Gjykata zvicerane.

Gjykata shtoi se gara nuk do të ishte e drejtë për vajzat të cilat nuk përdorin testosterone dhe i kundërshtoi akuzat e afrikanes se ajo po diskriminohet.

(Kosova Sot Online )