Emery: Transferimi i Pepes nuk është kompletuar

  • 01 August 2019 - 09:11
Emery: Transferimi i Pepes nuk është kompletuar

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, ka thënë se transferimi i sulmuesit të Lille, Nicolas Pepes, në Londër, nuk është mbyllur ende, përkundër që në rrjetet sociale kanë qarkulluar fotografi të tij duke pozuar me fanellën e Arsenalit.

Arsenali tashmë ka arritur marrëveshje në vlerë prej 80 milionë eurosh me klubin francez, ndërsa gjithçka që mbetet deri në kompletimin e transferimit janë testet mjekësore dhe nënshkrimi i kontratës.

24-vjeçari pritet të zyrtarizohet si lojtari i katërt i transferuar te “Topçinjtë” këtë javë, pas sulmuesit Gabriel Martinelli, mesfushorit Dani Ceballos, i cili vjen si huazim për një sezon nga Real Madridi, dhe mesfushorit William Saliba, i cili u transferua nga St Etienne për 27 milionë funte dhe menjëherë u huazua sërish te klubi i Ligue 1.

Pepe pritet të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare, me pagë prej 150 mijë funtesh në javë. Trajneri Unai Emery shpreson se ai do të jetë në formë mjaftueshëm të mirë për të luajtur në ndeshjet hapëse të sezonit të ri të Premierligës, që fillon më 11 gusht.

Transferimin e Pepes e konfirmon një video e publikuar në rrjetet sociale, ku futbollisti shihet i veshur me fanellën e Arsenalit.

(Kosova Sot Online )