Ndryshime në formatin e Kupës së Botës së vajzave, tani do të garojnë 32 ekipe

  • 01 August 2019 - 11:15
Ndryshime në formatin e Kupës së Botës së vajzave, tani do të garojnë 32 ekipe

Këshilli i FIFA-s e miratoi unanimisht propozimin për ta zgjeruar Kupën e Botës së vajzave, duke i shtuar numrin e pjesëmarrësve nga 24 në 32. Presidenti Gianni Infantino tha se ky vendim vjen për shkak të sukseseve të mëdha të turneut këtë verë.

Edicioni i kësaj vere i Kupës së Botës u zhvillua në Francë dhe mori më shumë vëmendje sesa që marrin zakonisht garat e vajzave. Paraqitjet mbresëlënëse të skuadrave, veçanërisht SHBA-së që e mbrojti titullin e kampiones botërore, bënë që të kërkohen kushte më të mirë për vajzat në këtë sport.

“Kupa e Botës në Francë e bëri të qartë se tani ka ardhur koha që të vazhdojmë dhe të marrin edhe hapa të tjerë konkret për rritjen e futbollit të vajzave. Jam i kënaqur që ky propozim, që është vetëm i pari në mesin e shumë të tjerëve, po bëhet realitet”, u shpreh Infantino.

Tani që aplikimet për ta organizuar turneun e Kupës së Botës së vajzave 2013 veçse kanë filluar, këshilli i FIFA-s vendosi të mos presë deri në takimin e ardhshëm, në Shanghai në tetor, për ta marrë këtë vendim.

Në deklaratën e lëshuar nga FIFA të mërkurën u bë e ditur se vendet që dëshirojnë të jenë nikoqire të turneut të ardhshëm duhet ta rikonfirmojnë interesimin e tyre, ndërsa tani mund të garojnë edhe vende të tjera.

Afati për ta bërë këtë gjë është deri në dhjetor. Raporti vlerësues do të publikohet në prill të vitit 2020, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të bëhet i ditur në maj.

Nëntë vendet që deri më tani kanë shprehur për ta organizuar këtë turne janë: Argjentina, Australia, Bolivia, Brazili, Kolumbia, Japonia, Zelanda e Re, Afrika e Jugut dhe një kërkesë e përbashkët nga Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut.

(Kosova Sot Online)