Çfarë thuhet në letrën e FFK-së drejtuar UEFA-s e FIFA-s për Serbinë?

  • 01 August 2019 - 12:17
Çfarë thuhet në letrën e FFK-së drejtuar UEFA-s e FIFA-s për Serbinë?

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se i ka shkruar zyrtarisht letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantinos, dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferinin, në lidhje me aktivitetet e fundit të ashtuquajturit klub Trepça nga Mitrovica e Veriut.

“Trepça” së fundi u përfshi në kategorinë e tretë të futbollit të Serbisë. Federata e Futbollit e Kosovës reagoi menjëherë pas këtij lajmi dhe tani ka kërkuar që dy shtëpitë e mëdha të futbollit të reagojnë gjithashtu.

FFK-ja ka kërkuar ndalimin e çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës, si dhe që UEFA dhe FIFA ta detyrojnë Federatën serbe që ta ndryshojë statutin e saj, ku Kosovën e paraqet si pjesë të federatës së tyre, e që është në kundërshtim me realitetin dhe statutet e FIFA-s e UEFA-s.

Letra e plotë e FFK-së, e përkthyer në shqip:

I nderuar Zotëri President,

Në vazhdimësi, shumë herë dhe për herë të fundit muajin e kaluar, ne e kemi adresuar në UEFA dhe FIFA shqetësimin tonë në lidhje me organizimin e një lige zyrtare dhe ndeshjeve të kupave nga klubet serbe brenda territorit të Kosovës.

Situata do të eskalojë pasi që klubi nga Kosova, Trepça, do të garojë në Ligën e Tretë të Serbisë, gjë e cila nuk do të tolerohet nga Qeveria, Policia dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë.

Për më tepër, ne prisnim më shumë mirëkuptim dhe konsideratë nga Federata e Futbollit e Serbisë, por duket se ata janë plotësisht të kontrolluar dhe të ndikuar politikisht. Moslejimi i lojtarëve dhe trajnerit serbë të Malit të Zi të luajnë kundër Kombëtares së Kosovës dhe, së fundi, lojtarëve të Slovan Bratislavas kundër kampionit tonë, Feronikelit, është tregues i urrejtjes së thellë dhe humbjes së realitetit nga Qeveria Serbe.

Nëse FIFA dhe UEFA nuk ndërhyjnë dhe shfaqin vendosmëri, futbolli do të shkaktojë edhe më shumë konflikt politik, që do të ishte i paprecedent  dhe dëmtues ndaj shtëpive tona të futbollit.

FIFA dhe UEFA duhet ta ndalojnë menjëherë Federatën e Futbollit të Serbisë që të mos i përfshijë klubet nga Kosova në garat e organizuara nga Federata serbe.

Për më tepër, ne kërkojmë nga UEFA të ndërhyjë ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për t’i bërë ndryshimet e nevojshme në statutin e tyre, ky Kosova është pjesë e Shoqatës së tyre, që është e papranueshme dhe në kundërshtim me të vërtetën dhe statutet e FIFA-s e UEFA-s. 

(Kosova Sot Online)