Simeone: Felix nuk është si Ronaldo, ka vizion dhe luan bukur

  • 01 August 2019 - 15:29
Simeone: Felix nuk është si Ronaldo, ka vizion dhe luan bukur

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, nuk mendon se lojtari i tij Joao Felix është futbollist i ngjashëm me Cristiano Ronaldon.

Joao Felix dëshiron ta përsërisë suksesin e bashkatdhetarit të vet, Cristiano Ronaldos, por trajneri i tij Diego Simeone mendon se ata dy dallojnë shumë.

19-vjeçari u bë futbollisti i dytë adoleshent më i shtrenjtë në histori të futbollit këtë verë, kur iu bashkua Atletico Madridit për 126 milionë euro nga Benfica, pas Kylian Mbappes për të cilin PSG-ja pati paguar 145 milionë euro plus milionë të tjera bonuse dy vjet më parë.

Portugezi e ka shijuar një fushatë inkurajuese parasezonale me klubin e tij të ri. Ai e shënoi një gol dhe dhuroi një asist në fitoren e Atleticos 3:0 kundër yjeve të MLS-së në Orlando të enjten.

“Nuk mendoj se Joao Felix është si Cristiano”, tha Simeone.

“Realiteti është se loja e tij është e mirë për ta shikuar. Jam kënaqur duke e shikuar prej që ka ardhur. Ai ka vizion dhe kontroll të mirë të topit kur udhëheq përpara, që tregon shumë duke pasur parasysh moshën, mënyrën sesi luan dhe sesi e lexon lojën ai”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)