Ish-drejtori i Milanit: Ronaldo donte të vinte te ne

  • 02 August 2019 - 08:05
Ish-drejtori i Milanit: Ronaldo donte të vinte te ne

Ish-drejtori ekzekutiv i Milanit, Marco Fassone, pretendoi se Cristiano Ronaldo ishte i hapur ndaj mundësisë për t’u transferuar në “San Siro”, para se t’i bashkohej kampionit të Serisë A, Juventusit, sezonin e kaluar.

Cristiano Ronaldo e shkëmbeu Real Madridin për Juventusin për 112 milionë euro, gjatë afatit kalimtar të verës së vitit të kaluar. Megjithatë, para se të realizohej ky transferim, për portugezin ishte interesuar edhe Milan.

Ish-drejtori sportiv, Massimiliano Mirabelli, pretendoi se Ronaldo kishte qenë shumë afër transferimit në Milan, mirëpo pronarët e atëhershëm – të drejtuar Li Yonghong – e kishin bllokuar marrëveshjen.

Dhe Fassone – i cili u largua nga Milani bashkë me Mirabellin vitin e kaluar, pasi kompania Elliott e mori pronësinë e klubit – i mbështeti këto pretendime.

“Presidenti e donte Cristiano Ronaldon, por shifrat na treguan se një transferim i tillë nuk do të ishte i këshillueshëm”, është shprehur Fassone për Sportitalian.

“Ronaldo ishte i hapur ndaj kësaj mundësie, pasi që Milani është një klub i famshëm dhe kishte entuziazëm rreth nesh”.

“Megjithatë, ne kurrë nuk shkuam përtej kalkulimeve të brendshme dhe vetëm donim ta dinim nëse ai ishte i hapur ndaj kësaj mundësie”.

Ish-grupi i pronarëve shpenzuam mjaft shumë verën e kaluar, veçanërisht për transferimin tronditës të Leonardo Bonuccit nga Juventusi. Atë verë u transferuan edhe Andre Silva, Hakan Calhanoglu, Andrea Conti, Mateo Musacchio, Ricardo Rodriguez, Lucas Biglia, Franck Kessie, Nikola Kalinic dhe Fabio Borini.

(Kosova Sot Online)