Plani i Zidane: Bale nuk do të luajë më për Real Madridin

  • 02 gusht 2019 - 08:38
Plani i Zidane: Bale nuk do të luajë më për Real Madridin

Gareth Bale mund ta kalojë të gjithë sezonin 2019/20 të Real Madridit pa luajtur asnjë minutë, pasi që trajneri Zinedine Zidane nuk e konsideron atë pjesë të planeve të tij, përkundër që transferimi i tij në Kinë dështoi.

E përditshmja angleze, The Sun, raporton se Zinedine Zidane e ka bërë të qartë se ai nuk do ta zgjedhë Gareth Bale në formacionin e tyre për asnjë ndeshje, përderisa ai të jetë trajner i “Los Blancos”.

Në anën tjetër, as Bale, transferimi i të cilët në Kinë dështoi para disa ditësh, nuk dëshiron të luajë më për Zidanen.

Uellsianit 30-vjeçar i kanë mbetur edhe tre vjet në kontratën e tij, sipas të cilës i fiton 650 mijë funte në javë. Ai nuk është i gatshëm të largohet nga Real Madridi në formë huazimi, apo të pranojë ndonjë ofertë me pagë më të ulët.

Tanimë nuk duket se Bale do të largohet nga skuadra madrilene gjatë afati kalimtar të verës. Kjo mund të rezultojë të mos jetë opsioni më i mirë për të, pasi që rrezikon ta kalojë të gjithë sezonin jashtë fushës së blertë.

Uellsiani nuk ishte i përfshirë në skuadrën e Zinedine Zidane për Audi Cup, pas dështimit të transferimit të tij në Jiangsu Suning.

Arsyeja për mungesën e Bale në Gjermani mbetet ende mister. Real Madridi deklaroi se ai nuk udhëtoi për shkak të negociatave që po vazhdonin me Jiangsun, ndërsa Zidane e dha një tjetër sqarim.

“Ai nuk udhëtoi sepse nuk ndihej mirë. Nuk ishte në formë të mirë dhe pas një bisede me departamentin mjekësor, vendosëm se më e mira për të është të qëndrojë në Madrid”, u shpreh Zidane.

Mediat angleze raportojnë se Bale është i Pakënaqur me Real Madridin pasi që i dështoi transferimi në Kinë dhe nuk pranoi të udhëtojë me skuadrën në Munih.

Siç raporton Marca, përfaqësuesit e Bale kishin qenë të zemëruar me faktin se Real Madridi kishte kërkuar para për ta lejuar uellsianin të largohet në klubi në minutën e fundit të negociatave, duke bërë kështu që të pamundësohet marrëveshja me Jiangsun.

(Kosova Sot Online )