Guardiola, afër ta thyejë rekordin e Mourinhos në Premierligë

  • 02 August 2019 - 09:46
Guardiola, afër ta thyejë rekordin e Mourinhos në Premierligë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është në rrugë të drejtë për ta thyer edhe një tjetër rekord në Premierligë. Këtë herë, ai i ka vendosur sytë e tij mbi rekordin e Jose Mourinhos.

Pasi u bë trajneri i parë që i fiton tri trofetë vendore në Angli brenda një sezoni, Pep Guardiola synon të bëhet edhe trajneri që i arrin më së shpejti 100 fitore në Premierligë.

Aktualisht, këtë rekord e mban Mourinho me Chelsean. Ai i arriti 100 fitore në 142 ndeshjet e tij të para si trajner në “Stamford Bridge”.

Por, Guardiola është afër për ta thyer këtë rekord, pasi që ai i ka regjistruar 87 fitore nga 114 ndeshje – duke bërë që t’i nevojiten vetëm edhe 13 fitore në 27 ndeshjet e radhës për ta thyer rekordin e Mourinhos.

Përveç nëse “Citizens” hyjnë në ndonjë krizë të madhe, Guardiola do t’i lë pas edhe rekordet e Sir Alex Fergusonit (162), Arsene Wengerit (179), Rafa Benitezit (181) dhe Claudio Ranierit (187).

Nëse trajneri spanjoll arrin ta mbajë ecurinë e njëjtë me Manchester Cityn, atij do t’i duhen vetëm edhe 17 ndeshje për t’i arritur 100 fitore në Premierligë. Kjo do të thotë që ai mund ta arrijë këtë sukses vetëm brenda 131 ndeshjeve, 11 më shpejt sesa Mourinho.

Megjithatë, Guardiola s’mund t’ia marrë një rekord Mourinhos – numrin e pikëve të fituara nga 100 ndeshjet e para në Premierligë. Guardiola i fitoi po aq ndeshje sa Mourinho (73) në 100 ndeshjet e para, por i grumbulloi tri pikë më pak, për shkak të barazimeve.

(Kosova Sot Online)