Plani i vëllezërve Pogba: Të gjithë në Spanjë

  • 02 August 2019 - 10:00
Plani i vëllezërve Pogba: Të gjithë në Spanjë

Përderisa Paul Pogba është në pritje për ta kuptuar të ardhmen e tij, Mathias veçse i është bashkuar CD Manchengos dhe Florentini i ka thënë agjentit të tij t’ia gjejë një klub në Spanjë.

E ardhmja e Paul Pogbas do të qartësohet së shpejti. Tani gjithçka varet nga negociatat mes Real Madridit dhe Manchester Unitedit, të cilët megjithatë janë larg arritjes së një marrëveshjeje, shkruan AS.

Pasi që Paul Pogba e dëshiron transferimin në Real Madrid, nuk është rastësi që vëllezërit e tij më të mëdhenj gjithashtu janë duke shkuar drejt Spanjës.

Plani i familjes Pogba është që të tre vëllezërit të luajnë në Spanjë gjatë sezoni 2019/20, duke qenë së bashku në të njëjtin vend për herë të parë në karrierën e tyre.

Florentini i ka thënë klubit të tij aktual, Atlanta United, se ai dëshiron të largohet dhe agjenti i tij është duke punuar t’ia gjejë një klub në Spanjë. Ai ka kohë ta arrijë këtë transferim deri më 7 gusht.

“Flo dëshiron t’u bashkohet vëllezërve në Spanjë dhe ne e kemi një javë kohë për t’ia gjetur atij një klub të ri në ligën e parë apo të dytë spanjolle”, tha agjenti i 28-vjeçarit.

Tre vëllezërit dëshirojnë që të jetojnë së bashku në ndonjë shtëpi afër kryeqytetit spanjoll, ku do të shpërngulej edhe nëna e tyre, Yeo, nga Parisi. 

(Kosova Sot Online)