Statistikat që tregojnë pse Real Madridit i duhet Pogba

  • 02 August 2019 - 11:03
Statistikat që tregojnë pse Real Madridit i duhet Pogba

Pas katër ndeshjeve zhgënjyese në turneun parasezonal më të keq që nga viti 1980 dhe dështimit në sezonin 2018/19, Real Madridi ka nevojë për përforcime. Trajneri Zinedine Zidane e ka bërë të qartë se ai e do Paul Pogban.

Mesfushori francez, i adhuruar nga disa e i kritikuar nga disa të tjerë, është lojtari që mund ta kompletojë skuadrën e “Los Blancos”, bazuar në paraqitjet e Real Madridit në SHBA dhe në “Allianz Arena”, shkruan Marca.

Luka Modrici dhe Toni Kroosi, titullarë në të katër ndeshjet, nuk ndihmuan mjaftueshëm as në sulm e as në mbrojtje, që gjë kishte ndodhur edhe gjatë sezonit të kaluar. Atyre u mungonte Casemiro, edhe pse as ai nuk kishte qenë në formën më të mirë gjatë sezonit të kaluar.

Në fakt, statistikat e të treve janë më të këqija sesa të Pogbas me Manchester Unitedin, përkundër që edhe “Djajtë e kuq” e patën një sezon të vështirë. Edhe në mbrojtje e edhe në sulm, Pogba ishte më mbresëlënës sesa të tre – Modrici, Kroosi dhe Casemiro – së bashku.

Pogba luajti në 47 ndeshje gjatë sezonit të kaluar, në të cilat kontribuoi me 16 gola dhe 11 asiste. Ndërsa, Modrici i luajti 46 ndeshje, i shënoi katër gola dhe i bëri tetë asiste. Casemiro e gjeti portën katër herë në 43 ndeshjet e tij dhe e bëri një asist, ndërsa Kroosi luajti po aq ndeshje, por e regjistroi vetëm një gol dhe gjashtë asiste.

Gjithsej, tre lojtarët e Real Madridit i shënuan nëntë gola, shtatë më pak sesa Pogba, dhe i bënë 14 asiste, dy më pak sesa francezi. Për më tepër, Pogba tentoi të shënojë më shumë sesa të tre madrilenët – ai e gjuajti topin 60 herë drejt portës, ndërsa treshja e Real Madridit 45 herë.

Edhe në fazën e mbrojtjes, Pogba ishte më mbresëlënës sesa mesfushorët aktual të Real Madridit. Ai ia vodhi kundërshtarëve topin plot 287 herë, në krahasim me 278 të Casemiro, 268 të Kroosit dhe 222 të Modricit.

Më i miri në top pesë ligat e Evropës

Disa persona mund të mendojnë se këto statistika të Pogbas nuk janë edhe aq mbresëlënëse, për shkak të sezonit të keq që e patën “Los Blancos”, mirëpo edhe skuadra e Manchester Unitedit ishte në formë të keqe për pjesën më të madhe të sezonit.

Pogba është i vetmi mesfushor në top pesë ligat e Evropës që arriti t’i shënojë më shumë sesa 15 gola dhe t’i bëjë më shumë sesa dhjetë asiste. Nëse ai arrin shifra të tilla në një skuadër më të dobët, çfarë do të bënte në një ekip më të mirë e më të suksesshëm?

(Kosova Sot Online)