Ronaldo – Dybalas: Duhet të shkosh në Man United

  • 02 August 2019 - 12:01
Ronaldo – Dybalas: Duhet të shkosh në Man United

Cristiano Ronaldo e ka nxitur bashkëlojtarin e tij në Juventus, Paulo Dybalan, të transferohet në Manchester United, pasi që portugezi e aprovon marrëveshjen e dy klubeve për shkëmbimin e Dybalas me Romelu Lukakun.

E përditshmja angleze, Daily Mail, raporton se Paulo Dybala e pyeti Cristiano Ronaldo për këshilla për këtë transferim të mundshëm, pasi që dy klubet tashmë kanë arritur marrëveshje.

Ronaldo, i cili i fitoi nëntë trofe gjatë gjashtë vjetëve në “Old Trafford”, e dha aprovimin e tij për këtë transferim, duke i  thënë argjentinasit se koha e tij te “Djajtë e kuq” i ndihmoi të bëhet kampion.

Burime të ndryshme të mediave italiane pretendojnë se Romelu Lukaku ka arritur marrëveshje personale me Juventusin, për nëntë milionë euro në vit. Madje, edhe dy klubet pajtohen që marrëveshja të jetë shkëmbim i lojtarëve.

E vetmja pengesa është ylli argjentinas i Juventusit, Dybala, i cili nuk është i sigurt për këtë transferim dhe përfaqësuesit e tij i kanë bërë Manchester Unitedit kërkesë prej 12 milionë eurove në vit, plus bonuse.

Dybala arriti në Torino të enjten në mëngjes nga Argjentina dhe ai shkoi drejt e në shtëpinë e vet, e jo në kampin stërvitor të Juventusit. Megjithatë, ai pritet të takohet me trajnerin Maurizio Sarri sot.

E përditshmja italiane, “Corriere dello Sport”, paralajmëron se Dybala nuk do të mundë të  zgjedhë shumë pasi që Juventusi praktikisht po e urdhëron ta pranojë marrëveshjen për shkëmbim.

Sipas “Le 10 Sport”, njëra ndër arsyet prapa ngurrimit të Dybalas është mundësia që Paris Saint-Germaini t’i bëjë ofertë më vonë gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Në anën tjetër, Tuttosport, Goal dhe media të tjera raportojnë se Juventusi është i gatshëm t’ia japë Manchester Unitedit edhe Mario Mandzukicin, por ende nuk është i qartë roli i tij në këtë marrëveshje.

Kroati 33-vjeçar e nënshkroi një kontratë të re me Juventusin në prill dhe kjo kontratë është e vlefshme deri në qershor të vitit 2021. Megjithatë, ai nuk pritet të ketë vend në formacionin e parë të Maurizio Sarrit.

Për të janë interesuar edhe Bayern Munichu, Borussia Dortmundi dhe Paris Saint-Germaini, pasi që ai i shënoi dhjetë gola dhe i bëri shtatë asiste në 33 paraqitjet për Juventusit sezonin e kaluar.

Image

 

(Kosova Sot Online)