Mungoi në listën për lojtarin më të mirë të vitit, Neymari s’i rritet paga

  • 02 August 2019 - 15:33
Mungoi në listën për lojtarin më të mirë të vitit, Neymari s’i rritet paga

Futbollistit brazilian, Neymarit, nuk do t’i ngrihet paga këtë verë, pasi që nuk ishte në listën prej dhjetë të kandiduarëve për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit të FIFA-s, sipas mediumit brazilian UOL.

Lista e lojtarëve për çmimin “The Best” të FIFA-s u konfirmua dje. Kjo listë është e përbërë nga dhjetë futbollistët më të mirë të botës gjatë sezonit të kaluar.

FIFA e bëri të lumtur PSG-në me listën e vet. Nëse Neymari do të ishte në mesin e dhjetë të kandiduarëve, atëherë PSG-ja do të detyrohej t’ia rriste pagën atij, pasi që për këtë gjë janë marrë vesh në kontratë.

Neymari i humb plot tre milionë euro nga mospjesëmarrja në listën e FIFA-s. Kjo është një humbje e madhe për Neymarin, i cili gjatë kohës së fundit nuk është duke i marrë as bonuset e mirësjelljes pasi që u vonua për stërvitjet e PSG-së këtë verë.

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, e hapi një procedurë disiplinore ndaj sulmuesit, i cili nuk u kthye në kohë në skuadër pas Kupës së Amerikës. AS sugjeron se ai mund t’i humbë dy milionë euro për këtë gjë, ndërsa Football Leaks thotë se gjoba do të jetë 375 mijë euro në muaj.

Mungesa e Neymarit nga kjo listë dhe pasojat që mund të vijnë nga ajo mund vetëm ta përforcojnë dëshirën e brazilianit për t’u transferuar në Barcelonë.

Presidenti Nasser Al-Khelaifi, Thomas Tuchel dhe Leonardo duan vetëm ta zgjidhin të ardhmen e tij para se të fillojë sezoni i ri, më 11 gusht. Qëllimi i tyre është që Neymari të vazhdojë në “Parc des Princes”.

(Kosova Sot Online)