Guri i papërmbajtshëm, shënon dy gola në suksesin e Ostendes

  • 04 August 2019 - 09:37
Guri i papërmbajtshëm, shënon dy gola në suksesin e Ostendes

Sidrit Guri i papërmbajtshëm në javën e dytë të Jupiler Liges, që është niveli më i lartë i futbollit belg. Sulmuesi shkodran realizoi një dygolësh si dhe ishte protagonist edhe në të tretin për skuadrën e tij, Ostende, në fitoren 3-1 me përmbysje ndaj Cercle Brugge.

25-vjeçari shfrytëzoi momentin e parë që iu dha në minutën e 32-të, kur pas një harkimi nga e djathta shënoi me një goditje me kokë si një qendërsulmues i mirëfilltë.

Pak minuta më vonë, në zhvillimet e një këndoreje,  Saadi shënoi autogol në tentativën për të larguar rrezikun me kokë.

Në fundin e ndeshjes, ishte përsëri Guri ai që gjeti rrugën e rrjetës, këtë herë me një shpërthim në krahun e majtë ku pasi kaloi një mbrojtës, mposhti edhe portierin me një diagonale duke vulosur suksesin 3-1 skuadrës së tij e duke filluar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë edicion.

Kjo ishte një fitore me përmbysje e Ostendes, duke bërë të pavlefshëm golin e Saadit në minutën e 7-të.
(Kosova Sot Online)