Tifozët e kritikojnë Muriçin, bashkëlojtari e lavdëron

  • 05 August 2019 - 12:47
Tifozët e kritikojnë Muriçin, bashkëlojtari e lavdëron

Arijanet Muriç pati debutim të zbehtë me Nottingham Forestin, duke bërë gabime të rënda në humbjen në shtëpi nga West Bromwichi

Arijanet Muriç e ka pasur një debutim për t’u harruar me Nottingham Forestin.

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës bëri gabime të rënda në humbjen e ekipit të tij në shtëpi nga West Bromwich Albion me rezultat 1:2, në ndeshjen e parë sezonale të Championshipit.

Dy reagimet e pasigurta të tij bënë që Nottinghami t’i pësonte dy gola fundjavën që shkoi edhe pse ishte në avantazh.

Reagimet e dobëta të portierit shqiptar nga Mali i Zi i kanë revoltuar tifozët, të cilët e kanë kërkuar rikthimin e portierit rumun, Costel Pantilimon si titullar.

Image

“Pantilimon, të lutem kthehu”, ka shkruar njëri prej tifozëve të Nottinghamit në rrjetet sociale.


“Më mirë do të luanim pa portier në këtë ndeshje”, shkroi një tjetër tifoz.

Ndërkohë, portierin në pronësi të Manchester Cityt e ka mbrojtur dhe e ka lavdëruar bashkëlojtari i tij i ri, Matty Cash.

Ky i fundit e ka përshkruar Muriçin si një “portier fantastik”, përkundër debutimit të errët.

“Ai është një portier fantastik dhe të gjithë bëjnë gabime. Ai është një lojtar i madh, i cili ka ardhur nga njëri prej klubeve më të mëdha. Ai nuk do të ishte këtu nëse nuk do të ishte një lojtar i madh”, ka thënë fillimisht Cash.

“Ai është një përforcim i madh për klubin dhe jam i sigurt se ai do të jetë mirë dhe se do të kontribuojë, definitivisht”, ka shtuar futbollisti britanik.

Muriç u huazua tek Nottingham City gjatë kësaj vere nga Manchester City.

(Kosova Sot Online)