Van Dijku e paralajmëron Maguiren: Do të jesh nën presion të madh

  • 06 August 2019 - 10:18
Van Dijku e paralajmëron Maguiren: Do të jesh nën presion të madh

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, e ka paralajmëruar Harry Maguiren se ai duhet të mësohet ta përballojë presionin që vjen kur je mbrojtësi më i shtrenjtë në histori të futbollit.

Harry Maguire e kompletoi transferimin e tij nga Leicester City në Manchester United të hënën, për 80 milionë funte, duke ia zënë vendin Virgil Van Dijkut – për të cilin Liverpooli i pagoi 75 milionë funte në vitin 2018 – si mbrojtësi më i shtrenjtë në botë.

Van Dijku, i cili ishte mbrojtësi më i shtrenjtë për plot 20 muaj, ka thënë: “Çmimi vjen me shumë presion, por kjo nuk ndryshon pothuajse asgjë sepse ti gjithmonë do të përballesh me presion në klube si Manchester United”.

“Nuk është e lehtë ta lësh plotësisht anash të gjithë presionin. Shumë gjëra janë më të rëndësishme sesa të luash futboll. Ti duhet ta shijosh atë, por presioni do të jetë gjithmonë i pranishëm”.

“Vetëm përqendrohu në atë që të pëlqen ta bësh dhe luaje lojën tënde më të mirë. Tregoji cilësitë e tua në fushën e lojës, shijojë ndeshjen dhe mos mendo për asgjë tjetër”.

“Nëse kundërshtarët të sulmojnë gjatë ndeshjes për shkak se ke kushtuar shumë para, çfarë mund të bësh? Unë nuk i dëgjoj ata. Kjo nuk ndryshon asgjë në kokën time”.

Në mesin e 10 qendërmbrojtësve më të shtrenjtë në histori, janë edhe: Lucas Hernandez (73 milionë euro), Aymeric Laporte (65 milionë euro), John Stones (55 milionë euro), Eder Militao (50 milionë euro), David Luiz (49 milionë euro), Rio Ferdinand (46 milionë euro) dhe Eliaquim Mangala (45 milionë euro). 

(Kosova Sot Online)