Berbatov: Pogba dhe Lingardi janë si fëmijë

  • 06 August 2019 - 10:46
Berbatov: Pogba dhe Lingardi janë si fëmijë

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov, i ka kritikuar Paul Pogban dhe Jesse Lingardin, duke thënë se ata kanë mentalitet të fëmijëve sepse u nevojitet të jenë të lumtur për të luajtur mirë.

Dy produktet e akademisë së famshme të Manchester Unitedit nuk e kanë shijuar plotësisht mbështetjen e tifozëve në “Old Trafford”, mirëpo as nga tifozët e tjerë të futbollit.

Kritikat për Paul Pogban dhe Jesse Lingardin janë shfaqur rregullisht, veçanërisht për shkak të dyshimeve për formën e tyre dhe për kontributin në kauzën e përbashkët të “Djajve të kuq”.

Berbatov beson se gjërat kanë eskaluar në disa situata me Pogban si fitues i Kupës së Botës me Francën dhe me Lingardin si gjysmëfinalist i Kupës së Botës me Anglinë.

Aftësia të cilën ata e posedojnë nuk është vënë në dyshim, mirëpo Berbatov e vë në pikëpyetje karakterin e tyre.

“Disa tifozë vetëm thonë gjëra sepse ata duan të thonë diçka dhe e kanë lirinë të thonë gjëra të këqija të cilat nuk janë gjithmonë të merituara”, ka thënë ish-ylli i “Djajve të kuq” në një intervistë të dhënë për DailyMail.

“Lojtarët e rinj duhet ta shprehin veten ashtu siç e shohin jetën. Nëse ata janë të lumtur, duhet ta transmetojnë këtë gjë edhe në fushë”.

“Lojtarët si Lingardi dhe Pogba i shohin gjërat më ndryshe sesa unë dhe ti. Ata janë më fëmijërorë sepse janë më të rinj. Për aq kohë sa janë të lumtur, ata do ta shfaqin këtë edhe në fushë dhe skuadra do të përfitojë nga kjo gjë”.

“Mund të lexosh shumë negativitet nëpër rrjetet sociale dhe ne jemi të gjithë njerëz. Gjërat e tilla të mbeten në mendje dhe ti fillon të dyshosh në vete. Pastaj nuk luan mirë, ekipi humb dhe kjo nuk është e mirë për askënd”.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer shpreson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë gjatë sezonit 2019/20, pasi që ai po tenton ta rikthejë Manchester Unitedin në majat e futbollit, ku kishte qenë gjatë kohës së Sir Alex Fergusonit. 

(Kosova Sot Online)