Ronaldo e sqaron origjinën e festimit të famshëm “Siiii”

  • 06 August 2019 - 13:28
Ronaldo e sqaron origjinën e festimit të famshëm “Siiii”

Cristiano Ronaldo ka zbuluar se festimi i golave me të cilin ai tani e identifikon veten erdhi thjesht si reagim i natyrshëm ndaj shënimit të golave në Real Madrid.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë, i cili tani është pjesë e skuadrës së gjigantit italian, Juventusit, e ka përjetuar shumë shpesh gjatë karrierës së tij ndjenjën e të shënuarit një gol të rëndësishëm.

Rekordi i tij mbresëlënës personal do të thotë se ai ka pasur shumë mundësi për të shfaqur mënyra të ndryshme të festimeve. Megjithatë, në verën e vitit 2013, ai e bëri festimin më karakteristik të karrierës së tij.

“Për herë të parë e bëra kur ishim duke luajtur kundër Chelseat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe unë me të vërtetë nuk e di se si ndodhi gjithçka”, ka thënë Ronaldo në një intervistë të dhënë për Soccer.com.

“Unë shënova dhe ai festim vetëm më erdhi. Ishte plotësisht reagim i natyrshëm, që të të them të vërtetën”.

“Pas kësaj, unë e kuptova se më pëlqente ai festim dhe fillova ta bëj ata më shpesh. Pastaj e pashë se edhe tifozëve u pëlqente dhe se ata e mbanin mend atë festim, kështu që vazhdova me të”.

Ronaldo i shënoi 40 gola në sezonin e tij të fundit për Real Madridin, para se të transferohej për 112 milionë euro në Juventus, ku e ka shtuar edhe trofeun e Serisë A në koleksionin e tij. 

(Kosova Sot Online)