Forlan konfirmon pensionimin

  • 07 August 2019 - 08:19
Forlan konfirmon pensionimin

Ish-sulmuesi i Kombëtares së Uruguait dhe Manchester Unitedit, Diego Forlan, e ka konfirmuar pensionimin e tij nga futbolli profesionist

40-vjeçari Diego Forlan luajti për herë të fundit për klubin nga Hong Kongu, Kitchee. Paraqitja e tij e fundit ishte në maj të vitit të kaluar.

Sulmuesi – i cili gjatë karrierës së vet luajti edhe për Interin dhe Villarrealin, si dhe një periudhë mbresëlënëse me klubin spanjoll Atletico Madrid – e konfirmoi pensionimin e tij së fundi.

“Nuk ka qenë e lehtë, nuk doja që ky moment të vinte, por unë e dija se një gjë e tillë do të ndodhte”, ka thënë Forlan në një intervistë të dhënë për Telemundo.

“Kam vendosur të mos luaj më futboll si profesionist”.

Forlani e nisi karrierën e tij si profesionist me Independiente në Argjentinë, para se ta fitonte transferimin në Manchester United, në janar të vitit 2002.

Ai e fitoi titullin e Premierligës me “Djajtë e kuq” në sezonin 2002/2003 dhe titullin e FA Cup sezonin e ardhshëm, para se të transferohej në Villarreal gjatë verës së vitit 2004.

Forlani e shijoi një periudhë të suksesshme edhe në La Liga, duke i shënuar 128 gola në 240 ndeshje të ligës për Villarrealin dhe Atletico Madridin. Me këta të fundit triumfoi edhe në Ligën e Evropës në sezonin 2009/10.

(Kosova Sot Online )