Ancelotti e favorizon Barcelonën për titullin e Ligës së Kampionëve

  • 07 August 2019 - 08:32
Ancelotti e favorizon Barcelonën për titullin e Ligës së Kampionëve

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, pret që Barcelona ta sigurojë trofeun e parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 2015, pas përforcimeve në skuadër gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Pesë-herë kampioni i Evropës nuk ka qenë i suksesshëm në skenën evropiane gjatë viteve të fundit, përfshirë këtu disfata tronditëse kundër Liverpoolit dhe Romës në fazat eliminatore gjatë dy sezoneve të fundit.

Klubi katalonas ka mbetur forca dominuese në futbollin spanjoll, pasi e ka fituar trofeun e La Ligës në katër nga pesë sezonet e fundit. Mirëpo, Barcelona ka arritur në finale e garës më prestigjioze të Evropës vetëm një herë në shtatë sezonet e fundit.

Ancelotti, skuadra e së cilit do të përballet me Barcelonën në një ndeshje miqësore në Florida të mërkurën, beson se djemtë e Ernesto Valverdes do të jenë kandidatë për ta fituar trofeun e Championsit gjatë sezonit 2019/20, pas transferimit të lojtarëve si Antoine Griezmann dhe Frenkie de Jong.

“Besoj se Barcelona është gjithmonë kandidate për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve”, u shpreh Ancelotti në një konferencë për shtyp në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Skuadra e tyre është e përbërë nga lojtarë si Lionel Messi e shumë të tjerë, kështu që mendoj se ata gjithmonë garojnë për të fituar maksimalisht dhe maksimumi është Liga e Kampionëve”.

“Mendoj se me transferimet që i kanë bërë, këtë vit ata do të jenë shumë të rrezikshëm”.

Në anën tjetër, edhe vetë skuadra e Ancelottit, Napoli, do të tentojë ta arrijë maksimumin e vet, pasi sezonin e kaluar e mbylli në pozitën e dytë të tabelës së Serisë A dhe u eliminua qysh në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. 

(Kosova Sot Online )