Alves synon Kupën e Botës 2022 me Brazilin

  • 07 August 2019 - 10:23
Alves synon Kupën e Botës 2022 me Brazilin

Mbrojtësi anësor, Dani Alves, dëshiron të shkruajë historinë me Sao Paulon, si dhe e ka ritheksuar dëshirën e tij për të luajtur për Kombëtaren e Brazilit në Kupën e Botës 2022.

36-vjeçari Dani Alves u transferua te gjiganti brazilian në fund të vitit 2022, duke u kthyer të luajë në vendlindje për herë të parë që kur u largua nga Bahia në vitin 2002.

Mbrojtësi, për të cilin kishin shprehur interesim edhe shumë klube evropiane, ka thënë se ai dëshiron të shkruajë historinë gjatë kohës së tij me Sao Paulon.

“Erdha këtu në Sao Paulo për të punuar. Nuk erdha këtu për ta përfunduar karrierën time. Unë ende kam shumë synime me Sao Paulon dhe njëra ndër to është të shkruhem në histori me këtë klub”, është shprehur Alves.

Alvesi i kaloi 17 sezone të suksesshme në Evropë, duke i fituar pesë trofe të La Ligës dhe tri të Ligës së Kampionëve me Barcelonën, para se të triumfonte në ligat vendore edhe me Juventusin e Paris Saint-Germainin.

Duke e sqaruar vendimin e tij për t’iu bashkuar Sao Paulos, Alves – i cili e zbuloi se nuk kishte biseduar me trajnerin e Brazilit, Tite, për këtë transferim – tha se kalimi i tij ishte bërë me mendjen te Kupa e Botës “Katar 2022”.

“Mua më nevojitet një projekt solid.  Mua më duhet një stabilitet i tillë pasi që kam qëllime të mëdha para vetes. Por, ëndrrat që i kam janë më të mëdha sesa çfarëdo sfide që kam përpara”, shtoi ai.

“Unë dua ta theksoj edhe një herë se qëllimi im është të luaj në Kupën e Botës 2022. Kjo do të thotë se unë duhet të shkoj te një klub që ma jep këtë mundësi, që beson në profesionalizmin dhe historinë time në futboll”.

Alvesi do të jetë 39-vjeçar kur të fillojë Kupa e Botës 2022. 

(Kosova Sot Online)