FFK-ja ankohet për procedurat e pajisjes së futbollistëve me pasaportë kosovare

  • 07 August 2019 - 10:41
FFK-ja ankohet për procedurat e pajisjes së futbollistëve me pasaportë kosovare

Federata e Futbollit e Kosovës ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të lehtësohen procedurat për pajisjen e futbollistëve të rinj të Kombëtares së Kosovës me pasaporta kosovare, pasi që beson se procedurat aktuale po shkaktojnë probleme.

Ekipi kombëtar i Kosovës është plot futbollistë të cilat janë rritur në vende të huaja dhe disa prej tyre edhe kanë luajtur për ekipe të tjera kombëtare paraprakisht. Për këtë arsye, para se të bëhen pjesë e “Dardanëve”, ata duhet të marrin nënshtetësinë kosovare.

Sipas FFK-së procedurat për ta arritur një gjë të tillë janë mjaft të komplikuara dhe rasti i fundit – ardhja e Florent Muslijës në Kombëtaren e Kosovës – ua ka dëshmuar atyre se ka nevojë për lehtësim të këtyre procedurave.

“Kërkohet nga institucionet shtetërore kompetente – Presidenca, që ta zgjedhin rrugën dhe kohën më të shpejtë të mundshme për të dekretuar dhe për të pajisur me pasaportë sportistët tanë në përgjithësi, sepse procedura e tanishme dhe kërkesa e dokumentacioneve të shumta bënë që sportistët tanë të kenë probleme të natyrave të ndryshme, sidomos në shtetet evropiane ku ata jetojnë e veprojnë”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga FFK-ja.

“Prandaj, kërkojmë që për sportistët tanë të përdoret procedurë e veçantë, e cila do të mundësonte dekretimin dhe pajisjen e tyre me nënshtetësi dhe pasaportë në afatin më të shpejtë të mundshëm”.

“Ky veprim do të mundësonte kompletimin e ekipeve tona sportive dhe do ta realizonte më shpejtë dëshirën e madhe të bashkatdhetarëve tonë që nëpërmjet sportit të japin kontributin për atdheun e tyre – Kosovën”.

Federata kosovare është shprehur optimiste se do të ketë mirëkuptim nga institucionet përkatëse për këtë kërkesë.

“Besojmë se kjo kërkesë e jona do të hasë në mirëkuptimin e plotë të institucioneve shtetërore dhe në të ardhmen sportistët tanë nuk do të hasin telashe të tilla procedurale për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, ngase edhe koha e tyre për t’u marrë me çështje të tilla është e limituar, duke pasur parasysh faktin se janë pjesë të klubeve të mëdha evropiane”, thuhet në deklaratën e lëshuar për media.

(Kosova Sot Online)