Kosova, pëson edhe humbjen e dytë në parakualifikuese për Eurobasket 2021

  • 07 August 2019 - 22:47
Kosova, pëson edhe humbjen e dytë në parakualifikuese për Eurobasket 2021

Pas humbjes befasuese nga Luksemburgu, Kosova ka dështuar edhe në përballjen me Britaninë e Madhe në fazën parakualifikuese për “Eurobasket 2021”.

Në kuadër të ndeshjes së vlefshme për Grupin G parakualifikues, “Dardanët” pësuan në Mitrovicë me rezultat 63:71.

Mysafirët nisën mirë ndeshjen duke fituar periudhën e parë, 10:15. Në të dytën, Kosova u këndell duke fituar 17:13, për të mbyllur pjesën e parë me vetëm një pikë disavantazh, 27:28. Megjithatë në dy periudhat vijuese britanikët u treguan më efikasë duke siguruar fitoren me tetë pikë epërsi.

Gabriel Olaseni me 15 pikë ishte më i miri te Britania, ndërsa te Kosova Drilon Hajrizi realizoi 17 pikë.

Kosova mbetet e fundit në grup me dy humbje. Luksemburgu e Britania prijnë me nga një fitore secila. Kosova ka megjithatë një ndeshje më shumë se rivalët. Vetëm fituesi i grupit kalon tutje.

(Kosova Sot Online)