Lukaku arrin në Itali për t’i kryer testet mjekësore me Interin

  • 08 August 2019 - 08:28
Lukaku arrin në Itali për t’i kryer testet mjekësore me Interin

Romelu Lukaku u përshëndet nga rreth 500 tifozë të Interit në aeroportin italian rreth orës 2 të mëngjesit, përderisa ai është gati ta kompletojë transferimin e tij në Inter për 65 milionë euro, plus 10 milionë në bonuse – nga Manchester Unitedi.

Sulmuesi belg ka qenë duke u stërvitur në Bruksel me Anderlechtin gjatë ditëve të fundit, edhe pse Manchester Unitedit e kishte pritur kthimin e tij në kampin stërvitor “Carrington”.

Dëshira për ta kompletuar sa më shpejt transferimin e tij dhe oferta e fundit e Interit – 65 milionë euro dhe 10 milionë euro të tjera në formë të bonuseve, si dhe 5 për qind të çfarëdo shume për të cilën mund të shitet Lukaku në të ardhmen – e bindi Manchester Unitedin ta shesë belgun.

Ai udhëtoi drejt Italisë natën e së mërkurës, me një aeroplan privat, bashkë me agjentin Federico Pastorellan, i cili e publikoi fotografinë e udhëtimit të tyre në Instagram.

Rreth 500 tifozë të Interit shkuan në aeroportin “Malpensa” për ta përshëndetur belgun, përkundër faktit që ora kishte shkuar pas 2:00 të mëngjesit kur arriti Lukaku me agjentin e tij. Lukaku i përshëndeti ata me dorë dhe u buzëqeshi përderisa ecte nëpër aeroport, në të cilin tifozët e zikaltërve e brohorisnin emrin e tij.

26-vjeçari do t’i kryejë testet mjekësore gjatë ditës së enjte dhe pastaj pritet ta nënshkruajë një marrëveshje pesëvjeçare, në vlerë prej 7.5 milionë eurosh në vit.

Manchester Unitedi e kishte blerë atë nga Evertoni në vitin 2017 për 84.7 milionë euro dhe kishte shpresuar se do të arrijë ta kthejë këtë shumë përsëri në klub, mirëpo, gjatë negociatave me Interin, anglezët e kuptuan se do ta kenë të pamundur të marrin ofertë më të madhe sesa 75 milionë euro.

Lukaku kishte qenë shumë afër transferimit në Juventus javën e kaluar, mirëpo Paulo Dybala e refuzoi Manchester Unitedin dhe e dështoi marrëveshjen për shkëmbimin e lojtarëve. 

(Kosova Sot Online )