Chelsea e shet David Luizin në Arsenal

  • 08 August 2019 - 09:39
Chelsea e shet David Luizin në Arsenal

BBC raporton se Arsenali ka arritur marrëveshje në vlerë prej tetë milionë funtesh me Chelsean për ta transferuar mbrojtësin brazilian, David Luizin, gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Kur kanë mbetur vetëm më pak se nëntë orë derisa të mbyllet afati kalimtar i verës për klubet angleze, Arsenali është siguruar ta marrë edhe një përforcim të fundit për skuadrën e sezonit të ardhshëm.

Qendërmbrojtësi brazilian, David Luiz, do ta vazhdojë karrierën e tij në kryeqytetin anglez, mirëpo tani do t’i mbrojë ngjyrat e “Topçinjve” e jo të Chelseat.

BBC raporton se 32-vjeçari do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare me Arsenalin, ndërsa testet mjekësore do t’i kryejë të enjten.

Në qendrën mjekësore të Arsenalit sot nuk do të jetë vetëm Luiz, pasi që “Topçinjtë” do ta kenë aty edhe mbrojtësin e krahut të majtë, Kieran Tierney, i cili pritet t’i bashkohet Arsenalit nga Celticu për 25 milionë funte.

Në anën tjetër, Luizi mund të shërbejë si zëvendësues për mbrojtësin dhe ish-kapitenin Laurent Koscielnyn, të cilin Arsenali e shiti të martën te klubi francez Bordeaux për pesë milionë euro.

Braziliani ishte bërë pjesë e skuadrës së Chelseat për herë të parë në vitin 2011, ku u transferua nga Benfica. Tre vjet më vonë, klubi londinez e shiti atë në Paris Saint-Germain, mirëpo Luizi u kthye sërish në Chelsea pas dy sezonesh.

Uebsajti Transfermarkt e vlerëson Luizin me 20 milionë funte, mirëpo Arsenali ka arritur marrëveshje me Chelsean për ta transferuar brazilianin për një shumë shumë më të ulët se kaq, vetëm tetë milionë euro.

(Kosova Sot Online)