Trajneri i Kosovës: Gabimet na kushtuan me humbje

  • 08 August 2019 - 11:54
Trajneri i Kosovës: Gabimet na kushtuan me humbje

Trajneri Damir Mulaomeroviq dhe basketbollisti Drilon Hajrizi kanë folur pas humbjes së mbrëmshme nga Britania e Madhe, në fazën parakualifikuese të Eurobasket 2021

Kosova pësoi nga Britania e Madhe 63:71 mbrëmë, në ndeshjen e vlefshme për fazën parakualifikuese të Eurobasket 2021.

Dhe, trajneri Damir Mulaomeroviq e ka analizuar rrjedhën e ndeshjet, duke u arsyetuar se ekipi i tij humbi pas gabimeve të shumta që i bëri, në ndeshjen e zhvilluar në palestrën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë.

“Ne kishim shanse për të fituar këtë lojë. Djemtë po luanin mirë, por mungesa e lojtarit kryesor të qendrës, Lis Shoshi pati shumë ndikim. Lojtarët kanë luajtur mirë në mbrojtje, por jemi ndëshkuar nga Britania e Madhe, në gabimet që kemi bërë”, nënvizoi Mulaomeroviq pas ndeshjes.

Pas lojës ka folur edhe basketbollisti kosovar, Drilon Hajrizi.

“Loja ka qenë shumë i mirë, por ata kanë pasur përparësi në lojtarë më të gjatë dhe më me përvojë. Kemi edhe dy ndeshje dhe akoma besojmë në kualifikim”, deklaroi Hajrizi.

Kosova e pësoi humbjen e dytë në këto parakualifikime pasi ditë më parë ishte mposhtur edhe nga Luksemburgu.

Me këtë përfaqësuese, “Dardanët” do të luajnë më 14 gusht në Prishtinë. 

(Kosova Sot Online)