Presidenti i Lyonit: Largimi i Neymarit do ta turpëronte Ligue 1

  • 08 August 2019 - 13:19
Presidenti i Lyonit: Largimi i Neymarit do ta turpëronte Ligue 1

Presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas, e ka këshilluar rivalin e vet, Paris Saint-Germainin, të bëjë gjithçka që nevojitet për t’u siguruar që Neymari të mos largohet gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Neymari, 27-vjeçar, ka qenë i përfolur për një largim nga skuadra e kampionit të Ligue 1 këtë verë, më së shumti për një kthim të mundshëm në Barcelonë, vetëm dy vjet pasi u largua nga aty për një shumë rekorde, 222 milionë euro.

Përderisa qëndrimi i Neymarit në skuadrën e Paris Saint-Germainit vetëm sa do ta favorizojë më shumë skuadrën e Thomas Tuchel për t’u shpallur sërish kampione e Francës, presidenti i Lyonit, Aulas, e sheh si të nevojshëm qëndrimin e brazilianit.

“Është e turpshme për Ligue 1 nëse shitja e të drejtave televizive u bë në një moment kur liga promovohej përmes imazhit të Neymarit”, ka thënë Aulas në një intervistë të dhënë për Le Parisien të mërkurën.


“Ai ishte në Barcelonë më parë. Me një çek shumë të madh, ai arriti në Paris. Mendoj se PSG-ja duhet të bëjë gjithçka që të jetë e mundur për ta mbajtur atë në skuadër edhe më tutje”.

“Por, si president i Lyonit, unë jam në një pozitë të keqe për ta gjykuar këtë situatë”.

Përkundër këshillës së Aulas, drejtuesit e Paris Saint-Germainit janë të gatshëm ta shesin Neymarin qysh këtë verë nëse marrin një ofertë të mirë për të, pasi që besojnë se braziliani po shkakton probleme në skuadër me sjelljen e tij.

Së fundi, BBC po raporton se edhe rivali më i madh i Barcelonës, Real Madridi, ka hyrë në garë për Neymarin. Sipas mediumit britanik, madrilenët veçse i kanë filluar negociatat me PSG-në për transferimin e brazilianit. 

(Kosova Sot Online)