Muriqi u drejtohet tifozëve të zjarrtë të Fenerbahçes

  • 08 August 2019 - 13:48
Muriqi u drejtohet tifozëve të zjarrtë të Fenerbahçes

Pasi luajti për herë të parë në stadiumin e klubit të tij të ri, Fenerbahçes, sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, e shfrytëzoi llogarinë e tij në rrjetin social Twitter për t’ua dërguar një mesazh tifozerisë së zjarrtë të klubit të tij të ri.

Gjatë këtij afati kalimtar të verës, shumë klube nga Evropa kishin shprehur interesim për Muriqin, mirëpo në fund kishte qenë Fenerbahçe klubi që arriti t’i sigurojë shërbimet e sulmuesit që sezonin e kaluar i mbrojti ngjyrat e Rizesporit.

Pas këtij transferimi, Muriqi e zhvilloi ndeshjen e tij të parë para tifozerisë së zjarrtë të Fenerbahçes në stadiumin “Sukru Saracoglu”, kundër Cagliarit. Ndeshja përfundoi me rezultat 2:2.

Muriqi ishte titullar në këtë ndeshje, në të cilën luajti deri në minutën e 76-të, kur u zëvendësua nga Allahyar Sayyadmanesh. Përkundër që nuk shënoi gol në këtë ndeshje, Muriqi u shpreh i lumtur në Twitter.

“Unë nuk mund t’i përshkruaj emocionet e ndeshjes së parë përballë tifozëve tanë. Do të luftojmë deri në pikën e fundit për ta bërë më të mirë. Është koha e unitetit. Na pret sezon i gjatë, por ne do të jemi kampionë”, shkroi Muriqi në Twitter.

Fenerbahçe do ta zhvillojë edhe një ndeshje miqësore, kundër Sivasspor, para se ta nisë rrugëtimin në Superligën e Turqisë, kundër Gazisehirit, më 19 gusht. 

(Kosova Sot Online)