Kean i zbulon këshillat që ia dha Ronaldo

  • 08 August 2019 - 15:04
Kean i zbulon këshillat që ia dha Ronaldo

Cristiano Ronaldo e nxiti Moise Kean t’i ndjekë ëndrrat e tij, pak para se ylli adoleshent ta merrte vendimin për t’u transferuar nga Juventusi në Everton, para disa ditëve.

Transferimi befasues erdhi pas paraqitjeve mbresëlënëse të 19-vjeçarit gjatë sezonit të kaluar, ku ai shkëlqeu duke kontribuar me gjashtë gola në 13 ndeshje të zhvilluara në Serie A.

Pasi që dëshironte të luante më shumë minuta gjatë sezonit të ri, Kean vendosi të transferohet te Evertoni, që arriti marrëveshje në vlerë prej 27.5 milionë eurosh me Juventusit.

Në një intervistë të dhënë pas transferimit të tij, Kean i zbuloi fjalët e bashkëlojtarëve të tij, përfshirë këtu Ronaldon, që e kishin ndihmuar atë në vendimmarrje.

“Mua më pëlqen Premierliga dhe e kam ndjekur atë shumë. Unë gjithashtu bisedova edhe me bashkëlojtarët e mi në Juventus”, tha Kean.

“Unë bisedova edhe me Cristianon… ai më tha ta ndjek ëndrrën time dhe të punoj shumë”.

“Mua më pëlqen Evertoni. Kjo është arsyeja pse erdha këtu. Mund ta shoh veten në këtë skuadër. Evertoni po shikon përpara në të ardhmen dhe këtë gjë po e bëj edhe unë”.

Pasi debutoi me Juventusin në Ligën e Kampionëve gjatë sezonit të kaluar, Kean do të tentojë të jetë po aq mbresëlënës edhe në debutimin e tij në Premierligë. 

(Kosova Sot Online)