Juventusi ende dëshiron ta shesë Dybalan

  • 09 August 2019 - 10:30
Juventusi ende dëshiron ta shesë Dybalan

Përkundër dështimit të transferimeve në Manchester United dhe Tottenham, mediat italiane raportojnë se Juventusi ende dëshiron ta shesë Paulo Dybalan. Për të janë të interesuar Paris Saint-Germaini, Bayern Munichu dhe Interi.

Bardhezinjtë kishin arritur marrëveshje për shitjen e Paulo Dybalas edhe me Manchester Unitedin, edhe me Tottenhamin. Mirëpo, argjentinasi i dështoi këto transferime me kërkesat e tij të shumta për klubet angleze.

Tani, afati kalimtar për klubet e Premierligës është mbyllur, por sipas burimeve të shumta italiane, kjo nuk e ka ndryshuar faktin që Juventusi ende e do Dybalan jashtë skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Paris Saint-Germaini mbetet favoriti për transferimin e Dybalas, pasi që ata e kanë shprehur interesimin e tyre qysh nga fillimi i verës. Për më tepër, drejtori sportiv i këtij klubi, Leonardo, njihet si tifoz i argjentinasit.

Një tjetër kandidat është Bayern Munichu, të cilët e kishin kontaktuar për transferimin e Leroy Sanes. Transferimi i Sanes u dështoi gjermanëve pasi që futbollisti e pësoi një lëndim të rëndë që do ta mbajë jashtë fushës së blertë për disa muaj.

Opsioni më intrigues është Interi, pasi që mediat italiane kanë spekuluar që një kohë të gjatë për mundësinë e shkëmbimit të Dybalas me Mauro Icardin. Sipas Calciomercato, Juventusi do të kërkonte edhe një shumë të ulët parash si shtesë ndaj Icardit për shkëmbim me Dybalan, pasi që ky i fundit ka vlerë më të madhe.

Icardit i është bërë e qartë nga zikaltrit se nuk është i mirëpritur në skuadër për sezonin e ardhshëm. Ata po tentojnë ta largojnë atë nga klubi dhe kjo u bë e qartë edhe me vendimin për t’ia dhënë Romelu Lukakus fanellën me numër nëntë.

Napoli dhe Juventusi janë ende të interesuar për Icardin, por tani Interin e ka kontaktuar edhe Roma, sipas Corriere dello Sport. 

(Kosova Sot Online)