Joshua e fajëson gjyqtarin për disfatën ndaj Ruizit

  • 09 August 2019 - 10:53
Joshua e fajëson gjyqtarin për disfatën ndaj Ruizit

Anthony Joshua e ka fajësuar gjyqtarin për disfatën e tij tronditëse të 1 qershorit kundër Andy Ruiz Jr, që i kushtoi atij me titujt e tij botërorë të boksit në kategorinë e peshave të rënda.

Boksieri britanik insiston se gjyqtari kanadez, Mike Griffin, bëri gabim që e ndali meçin përderisa ai nuk e kishte mbrojtësen e tij të dhëmbëve në gojë.

Në intervistën e tij të fundit për meçin e humbur në “Madison Square Garden”, Joshua tha: “Nuk e dija as se ku isha përpos që isha në atë qoshe. Por, unë i kisha vendosur krahët në litarët e ringut duke pritur që të më kthehet mbrojtësja e dhëmbëve”.

“Gjyqtari nuk është dashur të mendojë se unë do ta vazhdojë luftën pa të. Unë vetëm e pashë mbrojtësen time të shtrirë në dysheme”.

“Mendja ime nuk ishte plotësisht te Ruizi, pjesërisht për shkak të meçit për t’u bërë kampion i unifikuar kundër Deontay Wilderit, që pritej të ishte meçi im i radhës”.

“Por, tani ne e kemi këtë rimeç të madh dhe unë do të stërvitem ndryshe për Andyn. Këtë herë, unë do të jem gati për ta lëshuar përbindëshin”.

Joshua i humbi titujt e botës IBF, WBA dhe WBO pasi u rrah keq nga Ruizi më 1 qershor dhe pastaj ai e aktivizoi klauzolën në marrëveshjen me boksierin amerikan me prejardhje meksikane, e cila i jep atij të drejtën për rimeç.

Rimeçi mes tyre do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite më 7 dhjetor. Këtë lajm e ka bërë të ditur e përditshmja angleze, The Telegraph, mirëpo një njoftim zyrtar pritet që të dalë edhe sot nga përfaqësuesit e të dy boksierëve.

Joshua do të luftojë kundër Ruizit për titujt IBF, WBA dhe WBO në Riad të Arabisë Saudite, pasi që autoritetet e këtij vendi i kanë ofruar rreth 100 milionë dollarë vetëm që rimeçi të ndodhë te ta. 

(Kosova Sot Online)