Berisha: Do të luftoj si një luan

  • 09 August 2019 - 13:05
Berisha: Do të luftoj si një luan

Futbollisti kosovar është i vendosur t’i bëjë për vete tifozët e Lazios në sezonin e ri

Valon Berisha e ka lënë prapa krahëve lëndimin, i cili e kishte lënë jashtë fushës së blertë për disa muaj.

Futbollisti kosovar i është bashkuar ekipit të Lazios ditë më parë dhe duket shumë entuziast për t’i treguar vlerat e tij.

Sezoni i tij i parë tek Biancocelesti ishte i zbehtë pasi nuk e lanë rehat lëndimet, që ia dedikuan formën në rënie.

Mirëpo, përfaqësuesi kosovar është i vendosur që në sezonin e ri t’ju tregojë të gjithëve se sa vlen.

T’i tregojë edhe Lazios se nuk gaboi që e bleu nga Red Bull Salzburg vitin e kaluar për 7,5 milionë euro.

“Do t’i bëj tifozët të më duan. E ndiej besimin e klubit. Do të luftoj si një luan për t’i rrëmbyer zemrat e tifozëve”, ka thënë futbollisti i lindur dhe rritur në Norvegji.

Berisha e ka kaluar periudhën e errët dhe tash i është rikthyer buzëqeshja.

Ai pritet të jetë gati për ndeshjet kampionale në Serie A gjatë muajit shtator.

Sipas të gjitha gjasave, njëjtë si në muajin mars dhe atë qershor, mesfushori luftarak nuk do të jetë në dispozicion të Përfaqësueses së Kosovës as në ndeshjet e shtatorit, ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë.

Sidoqoftë, Berishën mund ta shohim nën urdhrat e trajnerit Bernard Challandes në ndeshjet e tetorit, në kuadër të kualifikimeve të Evropianit 2020.

(Kosova Sot Online)