Guardiola: Sane do të mungojë për gjashtë apo shtatë muaj

  • 09 August 2019 - 15:51
Guardiola: Sane do të mungojë për gjashtë apo shtatë muaj

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, pret që anësori Leroy Sane të mungojë gjashtë apo shtatë muaj për shkak të një lëndimi në gju, që e pësoi gjatë finales së Community Shield.

Gjermani 23-vjeçari i këputi ligamentet e gjurit dhe u detyrua ta lë ndeshjen e së dielës së kaluar, në Community Shield, kundër Liverpoolit, vetëm 13 minuta pasi ishte inkuadruar, transmeton Gazeta Express.

Sane, për të cilin ishte përfolur se do të transferohet në Bayern Munich gjatë këtij afati kalimtar të verës, do të bëhet operacion në Barcelonë javën e ardhshme.

“Është një lajm jashtëzakonisht i keq”, u shpreh Guardiola në konferencën për shtyp para ndeshjes së xhiros së parë të sezonit të ri të Premierligës, kundër West Hamit, të dielën.

“Nuk e di se sa gjatë do të jetë ai jashtë. Normalisht, me këtë lloj të lëndimit, ai do të jetë jashtë për gjashtë apo shtatë muaj – shpresojmë se do të kthehet në shkurt apo mars”.

Ndërkohë, Guardiola e konfirmoi se anësori tjetër, Riyad Mahrez, është i gatshëm të luajë në ndeshjen kundër West Hamit, ku së fundi u transferua Albian Ajeti, pasi që u la jashtë skuadrës së Community Shield për shkak të frikës se mund të dështojë në testet e dopingut.

Manchester City kishte shqetësime rreth medikamenteve që 28-vjeçari i kishte përdorur gjatë kohës sa po luante në Kupën e Kombeve të Afrikës, kur, si kapiten i Algjerisë, e fitoi titullin e kampionit.

Guardiola gjithashtu e konfirmoi se mesfushori David Silva do të jetë kapiten për këtë sezon – të fundit për të në Manchester City – pas largimit të Vincent Kompanys në fund të sezonit të kaluar.

(Kosova Sot Online)