Hernandez i shënon Muriçit, këto janë statistikat e kosovarit me klubin e ri

  • 10 August 2019 - 17:02
Hernandez i shënon Muriçit, këto janë statistikat e kosovarit me klubin e ri

Pas huazimit të tij nga Manchester City në Nottingham Forest, portieri i Kosovës, Arijanet Muriç, ka pranuar më shumë gola sesa që është mësuar. Së fundi, atë e mposhti Pablo Hernandez i Leeds Unitedit.

Nottingham Foresti e barazoi ndeshjen e dytë në sezonin e ri të Championshipit, nivelit të dytë të futbollit në Angli, duke arritur ta sigurojë vetëm një barazim 1:1 kundër Leeds Unitedit.

Portieri i Përfaqësueses së Kosovës bëri gabime të rënda në humbjen e ekipit të tij në shtëpi nga West Bromwich Albion me rezultat 1:2, në ndeshjen e parë sezonale të Championshipit.

Përderisa këtë herë goli i pranuar i Nottinghamit nuk erdhi për shkak të ndonjë gabimi të Muriçit, statistikat e kosovarit me klubin e tij të ri nuk janë edhe aq mbresëlënëse. Por, edhe vetë trajneri i tij, Sabri Lamouchi, pret gabime të tilla nga 20-vjeçari.

 “Gjatë një ndeshje, duhet të jeni të qetë, të zgjuar, të fokusuar. Të adaptoheni dhe të fokusoheni në lojë. Por, mos harroni se ai (Muriç) është vetëm 20 vjeçar. Ai do të bëjë sërish gabime”, tha Lamouchi.

“Kur një portier bën gabime, ekipi pranon gola. Kur sulmuesit humbasin mundësi për të shënuar apo mesfushorët bëjnë gabime, është ndryshe”.

Por, çfarë statistika ka kosovari me klubin e tij të ri?

Muriçi i ka zhvilluar gjithsej katër ndeshje që prej huazimit të tij nga Manchester Cityt. Dy të parat ishin miqësore – kundër Crystal Palace dhe Real Sociedadit – ndërsa dy tjerat ishin në kuadër të Championshipit.

Në këto katër ndeshje, Muriçi i ka pranuar gjithsej pesë gola. Në ndeshjen e tij të parë, ai arriti ta mbajë portën e paprekur, por tri ndeshjet e radhës nuk ishin kaq pozitive për kosovarin, i cili për ndeshjen kundër West Brom u vlerësua me notë 4.9 nga Sofascore.

(Kosova Sot Online)