Atletico Madridi i hakmerret Juventusit, këtë herë Ronaldo s’lë gjurmë

  • 10 August 2019 - 20:00
Atletico Madridi i hakmerret Juventusit, këtë herë Ronaldo s’lë gjurmë

Atletico Madridi e arriti qëllimin për t’iu hakmarrë Juventusit për eliminimin nga edicioni i kaluar i Ligës së Kampionëve, duke siguruar fitore me rezultat 2:1 në një ndeshje shumë më pak të rëndësishme se takimi i fundit mes këtyre dy skuadrave. Në këtë ndeshje shkëlqeu Joao Felix me dy gola të shënuara.

Në kuadër të turneut parasezonal, International Champions Cup, Atletico Madridi u ndesh për të tretën herë gjatë vitit 2019 me Juventusin. Edhe këtë herë, dy skuadrat luajtën me ekipet më të mira të tyra, përkundër që ishte vetëm ndeshje miqësore.

Pasi që Juventusi e kishte eliminuar në mënyrë tronditëse Atletico Madridin nga Liga e Kampionëve, skuadra e Diego Simeone e shijoi fitoren më shumë sesa të tjerat në këtë parasezon.

Për dallim nga takimi i fundit mes këtyre dy skuadrave, këtë herë Ronaldo s’la gjurmë kundër Atletico Madridit, të cilëve fitoren ua siguroi lojtari i ri i transferuar në skuadër, Joao Felix.

Felixi i shënoi të dyja golat e Atletico Madridit, të dyja në pjesën e parë. Ndërsa, për Juventusin shënoi Sami Khedira.

(Kosova Sot Online)