Premierliga “zjarr” që në start, luhet supersfida Man United – Chelsea

  • 11 August 2019 - 11:41
Premierliga “zjarr” që në start, luhet supersfida Man United – Chelsea

Edicioni i 28-të i Premier League-s startoi të premten në mbrëmje dhe ashtu siç pritej në javën hapëse dy kandidatët kryesorë për të fituar titullin Manchester City dhe Liverpooli respektuan parashikimet duke fituar me goleada, sidoqoftë në javën e parë shorti ofron menjëherë një ndeshje të madhe të futbollit anglez siç është Manchester United- Chelsea. Sezonin e kaluar dy ekipet u ndanë nga 6 pikë dhe për rrjedhojë edhe fundi i sezonit ishte vërtet shumë i ndryshëm, sepse falë vendit të tretë “Blutë e Londrës” përmbushën objektivin e tyre kryesor, ndërsa “Djajtë e Kuq” u pozicionuan në vendin e gjashtë, duke mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme një sezon krejtësisht të dështuar.

Në fakt bëhet fjalë për dy klubet më të suksesshëm në historinë e Premiershipit, sepse që nga viti 1992 kur futbolli anglez pësoi ndryshime rrënjësore United numëron 13 tituj, ndërsa Chelsea në krahun tjetër krenohet me 5 trofe të fituar në Premier League. Sezonin e kaluar që të dy takimet u mbyllën në barazim, e në të dy rastet ishin “Blutë e Sarrit” që u kthyen nga disavantazhi, madje në Stamford Bridge vendasit patën nevojë për një gol të Ross Barkley-t në 96′ për t’i hequr fitoren nga duart skuadrës mike, që asokohe drejtohej nga Jose Mourinho. Siç ndodh rëndom te skuadrat e mëdha që të gjithë fajet u shkarkuan te trajneri dhe ai që e pësoi ishte pikërisht 56-vjecari portugez, që u largua nga drejtuesit pas disfatës në Anfield, në duelin me Liverpoolin.

Ndryshimi i trajnerit dha efekt edhe këtë herë, teksa “Djajtë e Kuq” regjistruan një ecuri të mrekullueshme, madje pasi eliminuan edhe Paris SG në Europë për një moment “Red Devils” e gjetën veten përkohësisht në zonën Champions, megjithatë pas emërimit me kohë të plotë të ish-legjendës së klubit Ole Gunnar Solksjaer skuadra humbi si me buton magjinë e mëparshme dhe ekipi e përfundoi sezonin me vetëm 2 fitore në 12 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet. Në dy javët e fundit “Djajtë e Kuq” dështuan për të mposhtur qoftë edhe skuadra si Huddersfield Town apo dhe Cardiff City, që ishin rrëzuar prej javësh në Championship dhe trajneri nordik rendi me shpejtësi për t’ia hedhur fajin trajnerit luzitan, që sipas tij nuk i kishte dhënë ngarkesën e duhur fizike ekipit gjatë fazës përgatitore.

Me kalimin e muajve tifozët e klubit tashmë po ndërgjegjësohen për paralajmërimet e bëra nga Mourinho, në lidhje me mbetjen mbrapa skuadrave të tjera si dhe për limitet e këtyre lojtarëve, apo qoftë edhe për gjendjen e vërtetë të skuadrës, megjithëse anarkia që ka pushtuar rekordmenët e Anglisë kuptohet pak a shumë edhe nga merkato, ku Ed Woodward shpenzoi në mënyrë të pabesueshme plot 87 milionë euro për një si Harry Maguire, të cilin e shndërroi vetvetiu në mbrojtësin më të shtrenjtë në historinë e këtij sporti, si dhe 55,7 milionë për mbrojtësin e ardhur nga Crystal Palace Wan-Bissaka. Në krahun tjetër pas largimit të italianit Maurizio Sarri Roman Abramovich i besoi ekipin legjendës së klubit, ish-kapitenit Frank Lampard, që pritet më në fund t’i japë hapësirë shumë lojtarëve të rinj, tepër të talentuar që ka nxjerrë Akademia e Chelsea-t në gjithë këto vitet e fundit, pasi siç dihet “Blutë” pas skualifikimit përvec merkatos së verës nuk përforcohen dot as në periudhën e dimrit.

Solksjaer ka humbur futbollistë si Lukaku dhe Ander Herrera, pa i zëvendësuar dot, madje përpara ekipi ka vetëm emra si Rashford, Martial dhe Alexis Sanches, megjithëse për hir të së vërtetës Solksjaer ka besim të verbër te lojtarët e rinj që vijnë nga Akademia, ndërkaq Lampard ka humbur mbi të gjitha një si Eden Hazard, pa harruar që David Luiz braktisi llogoren blu, për të kaluar në anën e “topçinjve” të Arsenalit, por gjithsesi në skuadër është afruar nga Dortmundi Christian Pulisic. Takimi do të zhvillohet në orën 17:30 në Old Trafford, e natyrisht pritet me shumë interes, pasi të dy trajnerëve iu mungon eksperienca dhe me situatën aktuale është e kuptueshme që të dyve do t’iu nevojitet shumë shumë fat për të përmbushur objektivin Champions, për më tepër Ole Gunnar Solksjaer që tani kuotohet me koeficient 5 dhe vjen menjëherë pas veteranit Roy Hodgson, në listën e bookmakers-ave si trajneri i parë që do të shkarkohet në këtë sezon në Premiership.

Më herët në orën 15:00 Arsenali do të vizitojë në St James’ Park Newcastle United. “Topçinjtë” kanë bërë një merkato shembullore me lojtarë si Pepe, Dani Ceballos, Saliba, Tierney dhe së fundmi David Luiz, që u afrua për të mbyllur sadopak defektet në mbrojtje. Eksperienca e trajnerit Unai Emery pritet të influencojë, pasi ky është sezoni i dytë për trajnerin bask në ishull, ndërkaq “magpies” në anën tjetër pritet të vuajnë, pas largimit të Rafa Benitezit dhe zëvendësimit të tij me trajnerin Steve Bruce. 

(Kosova Sot Online)