Ironia e Mourinhos: “Më lehtë e fiton titullin Man City B sesa Man United”

  • 12 August 2019 - 09:33
Ironia e Mourinhos: “Më lehtë e fiton titullin Man City B sesa Man United”

Jose Mourinho nuk tregohet aspak “dashamirës” me dy ish-skuadrat e tij, Manchester United dhe Chelsea, kur u pyet për skuadra që ai i sheh pretendente për të fituar titullin në Premier League. Portugezi, tashmë në rolin e opinionistit në “Sky Sports”, nuk e kurseu ironinë, duke u shprehur.

“Katër ekipe mund të fitojnë titullin: Manchester City, Tottenham, Liverpool dhe Manchester City B. Nuk shoh gjithashtu që Arsenali t’i rezistojë një gare titulli. Sezoni i kaluar ishte fenomenal, por mendoj se Tottenhami duhet të bashkohet Citizens dhe “The Reds”.’

Edhe ish-mbrojtësi i United, Gary Neville, u pajtua me opinionin e 56-vjeçarit, duke i përjashtuar “Djajtë e Kuq” nga gara.

“Nuk shoh që United të fitojë titullin. Si tifoz i United, gjithçka që dua të bëj është të krijojë një strategji dhe t’i përmbahet asaj. Erdhën David Moyes, Louis van Gaal, Mourinho dhe të gjithë u larguan. Solskjaer po bazohet te lojtarë britanikë. Janë katër strategji të ndryshme. Një klub pretendent nuk mund të ndryshojë gjatë gjithë kohës”.

Mourinho gjithashtu sqaroi se ai beson që City dhe Liverpooli do të jenë aq të fortë sa të krijojnë shkëputjen.

“Ne do të donim që United, Chelsea dhe Arsenali të ishin gjithashtu në atë nivel. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Ndonjëherë mund të ndodhin gjëra të paparashikueshme. Kush e di?”

(Kosova Sot Online )