Reagimi i Zidanit kur pyetet për Pogban dhe Neymarin

  • 12 August 2019 - 09:48
Reagimi i Zidanit kur pyetet për Pogban dhe Neymarin

Zidane është në një udhëkryq. Skuadra e tij nuk e ka gjetur balancin e duhur dhe duket sikur i mungojnë edhe disa futbollistë për të kompletuar skuadrën. Pogba e Neymar janë objektivat e Los Blancos, por shumë, shumë vështirë për t’u arritur.

Real Madridi ka pasur një parasezon për t’u harruar. Tani frika te madrilenët ekziston se mund të përsëritet sezoni i kaluar, edhe pse Zinedine Zidane ka transferuar disa lojtarë në këtë merkato.

Paul Pogba i Manchester United dhe Neymar i Paris Saint Germain, janë dy objektiva të Los Blancos që ndoshta do të kishin ndryshuar diçka në skuadrën momentale të Real Madridit, e cila duket e humbur.

Pas humbjes nga Roma pas ekzekutimit të penalltive, Zizu është pyetur për të dy futbollistët e lartpërmendur.

“Neymar? Jemi këtu me ekipin që kemi. Mendja jonë është te e shtuna”, u përgjigj Zizu, teksa shtoi: “Mund të ndodhë gjithçka deri në fund të merkatos. Por, realiteti është se kemi këtë skuadër dhe jam deri në vdekje me ta”.

“Pogba? Po e përsëris të njëjtën. Ne kemi këtë skuadër dhe kështu do të luajmë javën që vjen, pikë”.

(Kosova Sot Online)