Mourinho: Për Felixin nuk është arsyetim mosha

  • 13 August 2019 - 08:23
Mourinho: Për Felixin nuk është arsyetim mosha

Jose Mourinho beson se çmimi i lartë për të cilin u shit Joao Felix bën që ai të jetë nën presion për të bërë superparaqitje në Atletico Madrid, përkundër moshës së tij të re.

19-vjeçari iu bashkua Atletico Madridit të Diego Simeones nga Benfica për 126 milionë euro muajin e kaluar dhe, që nga atëherë, lojtari i tretë më i shtrenjtë në histori të futbollit i ka bërë disa paraqitje mbresëlënëse.

Presioni mbi të është i madh jo vetëm për shkak të çmimit të tij, pasi që ai e ka për detyrë edhe ta plotësojë hapësirën e lënë bosh nga Antoine Griezmann, i cili e kompletoi transferimin e shumëpritur te rivali i La Ligës, Barcelona.

Për këtë arsye, bashkëkombësi i Felixit, Mourinho, beson se tifozët dhe stafi i Atletico Madridit do të presë që 19-vjeçari të performojë në nivelin më të lartë qysh në fillim të karrierës së tij, përkundër moshës së tij.

“Ai e ka një sfidë të madhe para vetës dhe kjo për shkak të investimeve që klubi i ka bërë për të”, tha Mourinho për kanalin televiziv të Federatës së Futbollit të Portugalisë, Canal 11.

“Unë besoj se ai nuk mund t’u ikë përgjegjësive. Nuk ka rëndësi se a është 18-vjeçar, 20-vjeçar apo 25-vjeçar. Ajo që ka rëndësi është talenti dhe përgjegjësia që ai e ka”.

“Niveli i investimeve të Atletico Madridin i lë ata me përgjegjësinë për të luftuar për titujt e Ligës së Kampionëve dhe të La Ligës. Është e qartë se Barcelona dhe Real Madridi duhet të jenë aty për shkak të fuqisë, kapacitetit financiar, kulturës dhe cilësisë”. 

(Kosova Sot Online)