Stankovic e vizitoi Kosovën, e dha një porosi!

  • 13 August 2019 - 11:02
Stankovic e vizitoi Kosovën, e dha një porosi!

Ish-futbollisti serb, Dejan Stankovic e ka vizituar së fundmi Kosovën, ku ka marrë pjesë në një turne të futbollit të vogël. Ai shprehet se populli serb në Kosovë ka nevojë për mbështetje dhe vizita të tilla nga Serbia

Ish-futbollisti serb, Dejan Stankovic ka qëndruar gjatë fundjavës që shkoi në Kosovë, shkruan mondo.rs.

Ish-mesfushori i Lazios dhe Interit e ka vizituar Leposaviçin, ku e ndoqi nga afër një turne tradicional të futbollit.

Turneu i 47-të i futbollit të vogël, i quajtur “Miqësia 2019” po mbahet këto ditë në Leposaviç.


Ky turne tradicional mblodhi rreth 50 ekipe në pesë kategori nga Graçanica, Priluzja, Plemetini, Mitrovica, Zveçani, Zubin Potoku si dhe nga Rashka, Novi Pazari, Baljevac, Rudnica etj.

Mysafir special i këtij turneu ishte futbollisti i njohur serb, Dejan Stankovic, i cili me prezencën e tij deshi ta mbështeste këtë ngjarje, përcjell Gazeta Express.

“E pranova ftesën me kënaqësi të madhe. Unë isha duke qëndruar në Kopaunik, ku po zhvillohet sezoni i dytë i kampit tim të futbollit ‘Deki5’ dhe e shfrytëzova rastin të vija”, ka thënë fillimisht ai.

“Unë e di sa e rëndësishme është një mbështetje të këtij lloji dhe se çka do të thotë kjo për popullin tonë në Kosovë, kështu që kjo është më së paku ajo që mund ta bëja. Ne e kaluam një periudhë të shkëlqyeshme dhe për mua ishte kënaqësi të shihja aq shumë pjesëmarrës. Futbolli na bashkon, na shoqëron dhe na pasuron. Kjo është arsyeja se përse unë jam shumë i lumtur që isha pjesë e kësaj historie të bukur në njëfarë mënyre”, përfundoi Stankovic. 

(Kosova Sot Online)