Zyrtare: Bayerni e huazon Perisicin nga Interi

  • 13 August 2019 - 11:21
Zyrtare: Bayerni e huazon Perisicin nga Interi

Pas disa javësh spekulime, Bayern Munichu ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me Interin për ta huazuar anësorin kroat, Ivan Perisic, për sezonin e ardhshëm.

Anësori kroat kishte triumfuar në Bundesligë me Dortmundin në vitin 2012 si dhe i kishte fituar dy tituj të Kupës së Gjermanisë. Ai kishte luajtur në Gjermani edhe për rivalin tjetër të Bayernit, Wolfsburgun.

“Bayerni e ka transferuar kroatin Ivan Perisic. Nënkampioni i Kupës së Botës do t’i bashkohet klubit në formë huazimi menjëherë”, shkruhet në postimin e faqes zyrtare të Bayernit në rrjetin social Twitter.

Perisici u shpreh i lumtur që po kthehet në Bundesligë, edhe pse transferimi i tij është vetëm në formë huazimi për një sezon.

“Jam shumë i lumtur që jam sërish në Gjermani. Bayerni është njëri ndër klubet më të mëdha në Evropë. Ne dëshirojmë të luftojmë jo vetëm në Bundesligë dhe Kupë të Gjermanisë, por edhe në Ligën e Kampionëve”, tha Perisic.

Ai i kishte bërë gjithsej 112 paraqitje në Bundesligë, duke i shënuar 27 gola, mes viteve 2011 dhe 2015, kur u transferua në Itali. Që nga atëherë, ai i ka bërë 163 paraqitje në Serie A dhe ka shënuar 40 herë.

Perisic, në huazimin e të cilit është i përfshirë opsioni për ta blerë atë verën e ardhshme, është lojtari i katërt i huazuar në Bayern këtë verë, pas Lucas Hernandezit, Benjamin Pavardit dhe Fiete Arp. 

(Kosova Sot Online)