PSG-ja dëshiron ta shesë Neymarin gjatë orëve në vazhdim

  • 13 August 2019 - 12:01
PSG-ja dëshiron ta shesë Neymarin gjatë orëve në vazhdim

Paris Saint-Germaini nuk e do më Neymarin në skuadër dhe, sipas të përditshmes spanjolle Sport, klubi e ka udhëzuar drejtorin sportiv, Leonardon, të arrijë marrëveshje për shitjen e brazilianit gjatë orëve në vazhdim.

Pas udhëtimit të delegacionit të Barcelonës në Paris për t’i filluar negociatat me Paris Saint-Germainin për transferimin e Neymarit edhe formalisht, Sport raporton se Leonardo është urdhëruar nga Sheik Al Khelaifi ta kompletojë shitjen e Neymarit sa më shpejt, madje gjatë orëve në vazhdim.

Klubi francez nuk dëshiron që ta ketë më Neymarin në skuadër, madje as në seanca stërvitore. Ky vullnet i PSG-së për ta shitur Neymarin i ka bërë më optimistë drejtuesit e Barcelonës, që tani veçse ndodhen në Paris.

Delegacioni i Barcelonës po drejtohet nga drejtori Javier Bordas, ndikimi i së cilit te kampionia e La Ligës është shtuar pas dorëheqjes së zëvendëspresidentit sportiv, Jordi Mestres.

Në mesin e zyrtarëve që udhëtuan në Paris është edhe ndërmjetësi brazilian, Andre Cury, i cili kishte qenë personi kryesor në transferimin e Neymarit nga Santosi në Barcelonë në vitin 2013 dhe nga Barcelona në PSG para dy vjetësh.

Qëllimi i Barcelonës është që ta bindë PSG-në të pranojë ofertë para plus lojtarë në shkëmbim të Neymarit, ose t’ia huazojë për këtë sezon të ri me opsionin për ta blerë verën e ardhshme përfundimisht.

Barcelona është e gatshme ta japë Philippe Coutinhos dhe një shumë parash për Neymarin, mirëpo deri më tani po refuzon ta përfshijë në ofertë edhe Nelson Semedon, të cilin e kërkon PSG-ja. 

(Kosova Sot Online)