Man Utd e merr vendimin përfundimtar për Pogban

  • 14 gusht 2019 - 11:58
Man Utd e merr vendimin përfundimtar për Pogban

Gjiganti anglez ka vendosur ta mbajë yllin francez së paku edhe një sezon, duke e refuzuar edhe nëse arrin ndonjë ofertë prej 200 milionë eurosh

Manchester Unitedi ia ka mbyllur dyert e daljes Paul Pogbas.

Sipas të së përditshmes spanjolle “AS”, klubi anglez ka vendosur dhe i ka treguar edhe vetë futbollistit se nuk dëshiron ta shesë atë edhe nëse merr ofertë të çmendur prej 200 milionë eurosh.

Mbyllja e afatit kalimtar veror në Angli më 8 gusht dhe mosarsdhja e ndonjë mesfushori kualitativ e ka shtyrë klubin anglez ta marrë këtë vendim, përkundër spekulimeve se futbollisti francez dëshironte të largohej nga klubi.

Qe një kohë, interesim për kampionin e botës kishte shfaqur Real Madridi, por atë e donte edhe Juventusi, i cili synonte ta rikthente në Torino.

Sidoqoftë, “Djajtë e Kuq” tashmë e kanë marrë vendimin dhe Pogba do të qëndrojë në “Old Trafford”.

Mirëpo, deri në përfundimin e afatit kalimtar veror kanë mbetur edhe tri javë dhe futbollit nuk i dihet kurrë. 

(Kosova Sot Online)