Shaqiri turpëron portierin në stërvitjet e Liverpoolit

  • 14 August 2019 - 13:19
Shaqiri turpëron portierin në stërvitjet e Liverpoolit

Edhe pse nuk pritet të jetë titullar sonte në Super Kupën e Evropës, Xherdan Shaqiri ka dëshmuar se e meriton besimin e trajnerit Jurgen Klopp edhe gjashtë seancës stërvitore që u mbajt mbrëmë në Stamboll.

Faqja zyrtare e Ligës së Kampionëve në rrjetin social Twitter e ka publikuar një video të Xherdan Shaqirit gjatë stërvitjeve të së martës, ku 27-vjeçari shihet duke e dribluar portierin dhe pastaj duke shënuar gol.

Për çdo tifoz të Liverpoolit, Stambolli sjell kujtime nga rikthimi dramatik në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Milanit në vitin 2005, kur kishin qenë duke humbur 3:0 e në fund kishin qenë ata që e kishin ngritur trofeun lart për shkak të një rikthimi dramatik.

Super Kupa është më shumë sesa vetëm një hapje ceremoniale për sezonin e ri evropian. Fitorja këtu mund t’ia japë fituesit të Ligës së Kampionëve, Liverpoolit, ose  fituesit të Ligës së Evropës, Chelseat, një motivim të madh për pjesën tjetër të sezonit.

Për Liverpoolin e Jurgen Kloppit, kjo është një mundësi e mirë për ta vazhduar fillimin e mirë të sezonit, pasi që ata e mposhtën me rezultat 4:1 Norwichin në ditën hapëse të Premierligës, të premten.

Në anën tjetër, Chelsea dëshirën të kthehet fuqishëm pas disfatës 4:0 kundër Manchester Unitedit, mirëpo trajneri i ri, Frank Lampard, do të duhet ta nisë lojën me një skuadër pa mesfushorin N’Golo Kante, për shkak të një lëndimi të cilin trajneri e quan të vogël.

Vetëm një ndeshje në sezonin e ri është herët për një krizë lëndimesh, Megjithatë, pasi portieri i parë, Alisson, e pësoi një lëndim të premten, Kloppi mbeti me lojtarin e ri, Adrian, si portier të vetëm në dispozicion, pasi që edhe dy opsionet e tjera për këtë pozitë janë të lënduar.

Liverpooli është i pamposhtur kundër klubeve angleze në Evropë gjatë gjashtë ndeshjeve të fundit, që nga viti 2009, kur e kishin pësuar një disfatë në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve kundër Chelseat.

Pasi kishte referuar në finalen e Kupës së Botës së vajzave, francezja Stephanie Frappart do të jetë në qendër të vëmendjes, pasi që ajo do ta ndajë drejtësinë në ndeshjen e së mërkurës. Frappart ka referuar në ndeshje të djemve edhe më parë, duke e bërë debutimin në një ndeshje të Ligue 1 në prill.

Kjo ndeshje do të jetë vetëm rikujtim se sa dominuese ishin klubet angleze në sezonin e kaluar në Evropë. Katër klube nga Premierliga i zunë katër vendet në finalet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropë.

Liverpooli ishte fituesi i fundit anglez i Super Kupës para 14 vjetëve, kur u përball me CSKA Moscow, mirëpo kjo do të jetë hera e parë që kjo ndeshje zhvillohet në mes të dy klubeve nga Anglia.

Chelsea e fitoi këtë kupë kundër Real Madridit në vitin 1998, mirëpo humbi kundër Atletico Madridit në vitin 2012 dhe Bayern Munichut një vit më vonë.

Klubet spanjolle i kanë fituar pesë Super Kupat e fundit, katër prej të cilave ishin me të dyja klubet nga Spanja. 

(Kosova Sot Online)